TIRANË- Adrian Bajrami është larguar pas tri vitesh nga përfaqësuesja kuqezi, duke zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën në të ardhmen. Ky vendim i papritur i mbrojtësit të Benfikës ka detyruar trajnerin brazilian të Kombëtares, Sylvinho të bëjë ndryshime në listë.
Në kushtë të tilla, Kombëtarja shqiptare e futbollit vjen me disa ndryshime të rëndësishme në prag të dy ndeshjeve të shtatorit, teksa tre lojtarë nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për arsye të ndryshme. Në vend të Bajramit, është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A mbrojtësi i ri Maldini Kaçurri. Lojtari që ka qenë më parë pjesë e ekipeve të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, do t’i bashkohet skuadrës në kampin stërvitor në Malaga ditën e hënë dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të stafit teknik për përgatitjet e radhës.
Por listës së mungesave i shtohet edhe Ylber Ramadani, i cili nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një dëmtimi. Në vend të tij është thirrur Enis Çokaj, aktualisht pjesë e klubit grek Levadiakos.
Një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e sulmuesit Ernest Muçi, i cili ka shfaqur shqetësime në shpinë. Në vend të tij, Silvinjo ka thirrur sulmuesin e talentuar Kristian Shpendi, një tjetër debutues në Kombëtaren A.
Grumbullimi i Kombëtares ka nisur të hënën, më 1 shtator, në Malaga, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, e cila do të luhet më 4 shtator në stadiumin “Europa Point”, në orën 18:00.
Më pas, më 5 shtator, Kombëtarja do të rikthehet në Tiranë për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes kualifikuese ndaj Letonisë, që do të zhvillohet më 9 shtator, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45./ZËRI