
ITALI- Në janar skuadra vjollcë e nisi duke i marrë Lacios një trepikësh në "Olimpiko", menjëherë në javën pasuese fitoi 3-0 me Interin në "Franki", në mars ishte radha e Juventusit të Motës që të thërrmohej 4-0 dhe dje, Atalanta lëshoi zyrtarisht armët për titullin kampion. Deri më dje, gara e kreut në Itali ishte tredhëmbëshe, Interi i Inzagit, Napoli i Kontes dhe Atalanta e Gasperinit.
Bergamaskët, me rezultat e dy të parave dhe me humbjen në Firence, tërhiqen zyrtarisht nga gara për titull. Fiorentina fitoi 1 me 0 me golin e sulmuesit të saj më në formë, Mojsi Kin. Kini shfrytëzoi një gabim të pafalshëm në skemën e Atalantës, e cila luan e rreshtuar lart dhe gabimet në kontrollin e topit janë të pafalshme. Hieni, qendërmbrojtësi bergamask, humbi topin dhe Kini u bë i paarritshëm në shkëputje me sprint derisa u gjet përballë portierit Karneseki, duke shënuar golin e parë dhe të vetëm.
Në tërësi Fiorentina ishte më kërkuese se sa Atalanta, ishte vetëm portieri Karneseki ai që me disa pritje shumë të bukura u tregua në lartësinë e sfidës. Fiorentina pas kësaj fitoreje ngjitet në vendin e shtatë me 1 pikë më pak nga sa zona e Ligës së Konferencës, ndërsa Atalanta renditet e treta, gjashtë pikë pas Napolit të vendit të dytë. Moisi Kini shënoi golin e gjashtëmbëdhjetë në Serinë "A" për këtë vit, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas Reteguit të Atalantës, që dje ishte i mbuluar më së miri pa fushë veprimi nga treshja e mbrojtjes vjollcë./ZËRI