Qytetërim

Giro d’Italia në Shqipëri, publikohet agjenda e 3 etapave të garës sportive

Të nesërmen, etapa e dytë do të mbahet më 10 Maj brenda kryeqytetit.

k.m.
Giro d’Italia në Shqipëri, publikohet agjenda e 3 etapave
“Giro d’Italia”

TIRANË- Gara sportive “Giro d’Italia” do të mbahet në vendin tonë nga data 9 deri më 11 Maj në Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Prezantimi i ekipeve pjesëmarrëse në aktivitet do të bëhet në datën 7 Maj, ora 20:30 në Sheshin “Skënderbej”. Më pas, etapa e parë do të mbahet më 9 Maj në rrugën Durrës-Tiranë. Gara do të nisë nga Porti i Durrësit, për të vijuar më pas drejt Malit të Robit, Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit, Papër, Bradasheshit, Gracenit, Mulletit, TEG, Sauk, Surrel dhe Tiranë.

Pasi të futen në Tiranë, në kryeqytet çiklistët do të drejtohen nga Surreli në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Përfundimi i etapës së parë do të jetë rreth orës 17.03 në Sheshin “Nënë Tereza”.

Të nesërmen, etapa e dytë do të mbahet më 10 Maj brenda kryeqytetit. Gara do të nisë rreth orës 13.30 nga Sheshi “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, rikthehen në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”.

Përfundimi i etapës së dytë është parashikuar të përfundojë rreth orës 17.15 tek Sheshi “Nënë Tereza”.

Etapa e fundit, do të mbahet më 11 Maj (ditën e zgjedhjeve parlamentare) në Vlorë, e cila do të nisë rreth orës 13.15 nga Rruga “Demokracia”. Çiklistët më pas do të vazhdojnë drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë.

Përfundimi i etapës së tretë parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”. Ky është edicioni i 108-të i Giro d’Italia, ku do të marrin pjesë 23 skuadra./ZËRI

Poll

MOS HUMB