
GJERMANI- Vetëm katër ndeshje janë luajtur në Euro 2024, por aq kanë mjaftuar për të vendosur rekorde. Në katër ndeshjet e para, Gjermania arriti në një fitore 5-1 kundër Skocisë, Zvicra fitoi 3-1 kundër Hungarisë, Spanja mposhti Kroacinë 3-0 dhe Italia vuajti për të dalë me rezultatin 2-1 me Shqipërinë. Në vetëm kaq ndeshje të luajtura janë shënuar gjithsej 16 gola, shifër që nuk ishte dëgjuar që nga Euro 1976.
Turneu i 'gjeneratës së ardhshme'
Fitorja e Spanjës ndaj Kroacisë ishte mbresëlënëse në vetvete, por 16-vjeçari Lamine Yamal la gjurmën e tij në histori, duke u bërë më i riu ndonjëherë që ka luajtur në një kampionat europian. Madje bëri dhe një asist për gol. Por nuk është vetëm Spanja me të rinj, edhe Italia moshën mesatare e ka vetëm 26 vjeç e 287 ditë, duke shënuar kështu formacionin më të ri që nga viti 1988.
Në ndeshjen e Hungarisë, mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai u bë njeriu më i ri që kapiten i një ekipi në Euro, në moshën 23 vjeç e 234 ditë.
Në histori këtë Europian është futur edhe Shqipëria, e cila me anë të Nedim Bajramit e gjeti një rrugë për të kaluar portierin e Italisë, Gianluigi Donnarumma pas vetëm 23 sekondash lojë. Ky është goli i dytë i shënuar ndonjëherë në një kampionat europian nga Shqipëria, por tashmë ka hyrë në histori si më i shpejti ndonjëherë.
Por ky kampionat sapo ka nisur, megjithatë duket se është me "këmbë të mbarë"./ZËRI