
HJUSTON- Këngëtarja e njohur Beyonce mori pjesë për herë të parë në një miting politik. Ajo shprehu publikisht mbështetjen e saj për kandidaten demokrate Kamala Harris. Beyonce foli për një nga çështjet më me rëndësi dhe më të diskutuara në Amerikë: Abortin. Këngëtarja tha se ajo ndodhet para të gjithëve jo si një person me famë, por si një nënë dhe grua që kërkon të drejtat e saj.
“Unë jam këtu si nënë. Për të gjithë burrat dhe gratë në këtë tubim, por edhe ata që na shohin përmes ekranit, ju them se ne kemi nevojë për ju. Ne duhet të votojmë! Nëse Donald Trump fiton përsëri, ai do të ndalojë abortin në mbarë vendin,”- tha Beyonce nga stadiumi Shell Energy në Hjuston.
Ndërkohë në sfond u luajt kënga e saj “Freedom”, gjë që përkon dhe me një nga planet kryesore të fushatës së Harris, lirinë. Kandidatja demokrate e ka përshkruar Trumpin si një kërcënim për progresin e fituar me vështirësi, duke bllokuar aksesin në kujdesin riprodhues, duke kërkuar të heqë dorë nga të drejtat LGBTQ dhe duke synuar vetë demokracinë amerikane. Në fillim të kësaj jave, Harris tha se Trump ishte një “fashist”. /ZËRI