Qytetërim

Konflikti mes Elias dhe Princit, Demiraj: Ka mbaruar akademinë ushtarake! Meço: Turp

Konflikti fizik i ditës së djeshme nxiti një sërë reagimesh në rrjet, mikesha e Elias akuzon Lekën si tradhtar, ndërsa Dritan Demiraj tregon për eksperiencën e tij me Princin, kur ai ka qenë pjesë e një prej akademive më të rëndësishme ushtarake

E.K
Konflikti mes Elias dhe Princit, Demiraj: Ka mbaruar akademinë ushtarake!
Reagimet ne rrjet

TIRANË- Video e dhunës mes princ Lekës dhe Elia Zaharias, tronditi mbarë opinionin publik mesditën e djeshme, ndërsa reagimet kanë qenë të ndryshme. Shumë u pozicionuan në anën e Elias dhe të tjerë në anën e princit, ndërkohë që debati u hap dhe nëse video duhet të ishte publikuar apo jo nga ana e mediave. Por në fakt video dyshohet se ka rrjedhur nga vetë princi, i cili e dorëzoi dhe si provë në gjykatë. Persona të afërt me ta, kanë treguar anë të ndryshme të historisë. Ndër të parat që reagoi në mbrojtje të Elias, ishte aktorja Luli Bitri, mikesha e Zaharisë. Ajo tha në dëshminë e saj, se Elia e kishte falur tradhtinë e princit për hatër të vajzës së mitur që ata kanë.

Postimi i mikeshës së Elias: “Gjithmonë kam menduar se mes një çifti nuk duhet të futet askush të gjykojë e të fajësojë. Për të njëjtat arsye që ata bëhen bashkë, mundet edhe që të ndahen……! Por sot e dashura mikja ime Elia, më trishton shumë që ti bëhesh lajm nga vet dora e atij burri, për të cilin ti u kujdese aq shumë të mos e baltosje kur more vesh tradhetinë. Atij njeriu për të cilin fajesoje veten se mos nuk ke bërë mjaftueshëm për ta bërë të lumtur… që u shty drejt një tjetre.

Atij njeriu për të cilin u ndjeve sikur të kishte vdekur një pjesëtar i familjes kur ai i mungonte netëve kur vajza jote e kërkonte mes ngashërimash..! Unë nuk kam takuar një grua me këtë tolerancë dhe force për ta edukuar veten me faljen dhe jo me urrejtjen….! Kemi qënë shumë afër këto kohë dhe kam njohur fisnikërinë tënde për të falur sepse për ty ai është babai i vajzës dhe se nuk ja dëshiron kurrë asgjë të keqe! Sepse ti je bija e një babai të plagosur e të zhgënjyer e megjithatë ai të emocionon kur e sheh rrugëve të Tiranës duke iu dedikuar mbesës…!

Atij babai- gjyshi qe edhe pse duhet te jetë betuar se nuk do të shkelte më në atë shtëpi, në emër të dashurisë, ka qëndruar pa gjumë me ty dhe me të voglën, ( në vend të të atit) gjithë këto netët e ditët e kësaj javë, kur ti digjeshe nga temperatura në shtëpi…! Duke ditur gjithë këto dhe duke të njohur mirë, unë të dërgojë një përqafim ty dhe babait tënd, për të cilin ti je krenare! Për babain tim do e ktheja botën përmbys! Mjerë kush nuk do i bëjë fëmijët e vet krenarë!”.

Ndërkohë që në video u hodhën akuza të forta nga Elia dhe për diplomat e Lekës, për të cilat tha se princi i ka falsifikuar. Dritan Demiraj, ish-komandant në ushtrinë shqiptare, shprehet se Leka  ka ndjekur me përkushtim një prej akademive ushtarake me nbivelin më të lartë të vështirësisë në botë.

“Me Princ Leken kam miqesi te ngushte familjare per me shume 22 vite. Gjithashtu kam patur privilegjin qe te punoj ngushte me shume se 5 vjet ne familjen mbreterore. Gjate ketyre viteve kam drejtuar personalisht pergatitjen e tij ne shume disiplina. Per tre vite me radhe Princi me shume perkushtim stervitej çdo dite nga 5 ore per te kaluar me sukses nje nga Akademite Ushtarake me te mira dhe te veshtira ne bote ‘Royal Military Academy Sandhurst, te cilen na beri krenar pasi e perfundoi me shume sukses. Tek Princ Leka krejt ndryshe nga shume te njohur te tjere kam pare nje djale super te edukuar dhe te mençur. Nje prind te perkushtuar si askush tjeter, nje djale shume besnik dhe te perkushtuar ndaj familjes, shokeve dhe me dashuri te madhe ndaj Kombit Shqiptar”, shkruan Demiraj ne postimin e tij.

Për gazetaren Sonila Meço, trajtimi i këtij rasti nga mediat duhet të ishte i kujdesshëm, pasi e ndan një fije e holle interesin publik nga ai privat. Sipas gazetares, askush nuk mund të hedhë dritë mbi atë që ka ndodhur mes çifit Leka dhe Zaharia, sa kohë që në media publikohen video disasekondëshe të konfliktit.

“Në dhjetra lajmet e ditës mbi “dhunën” e “shtetit” ndaj shpinës së kërrusur të shqiptarëve, që po u ndalohet të jetojnë me dinjitet në tokë të vet, po i ndajnë nga fëmijët për së gjalli, po u marrin shtëpi e prona pa gjyqe, po u kërcënojnë jetën me gjyqe, po u shkurtojnë ditët e perëndisë me ndotje të lartë, ushqime të pakontrolluara dhe shëndetësi copë e çmim të lartë, po i varfërojnë e telendisin publikisht si maskarenj, që nuk meritojnë më shumë, po u marrin peng jetët e po u tradhëtojnë besim, po i përçudnojnë në çdo formë gjersa t’u shtrembërohet shtylla kurrizore me breza dhe e gjitha nën shikimin e dëshminë personale të secilit…pra në këtë habitat “pjellor” revolte publike e personale, media zgjodhi të merret me dy video personale, pak sekondëshe, të një konflikti, që askush nuk di të thotë qe shkak a pasojë, të një raporti ish bashkëshortësh brenda katër mureve, të një situate nisur vite para videos, në rrethana krejt të paqarta të videos, për çështje, që as nuk preken në videon e bërë nga dikush, për qëllim të paditur, për një jetë të vetën, që e dinë veç protagonistët.

Ka 100 kamera Big Brother, në çdo skutë bashkëjetese, 24 orë live i përgjuar, qysh nga nisja e jetës së përbashkët, me mundësi sqarimi përmbi çdo fjalë, akt e veprim të dokumentuar dhe nuk ia del dot publiku të bjerë dakord se kush ka të drejtë e kush gabim.

Me dy video disa sekondëshe, marrë s’dihet kur, në ç’pjesë të konfliktit, pa kontekst, pa njohje rrethanash para e pas, të një familjeje, që nuk ia njohim as hallet, as huqet, me pamje që turp i madh kush i “shkarkoi” në media si kocka për “ujqit” e uritur të rrjetit, kemi marrë përsipër të bëjmë gjyqin e plotë, duke ndarë pretenca e verdikte si gjykata ambulante.

Zot ndihmona të mbledhim mendjen, të shkoqisim hallin tonë nga dallavaret e të tjerëve, të ndajmë grurin e jetës sonë nga kashta e dramave të të tjerëve, të mbajmë hundën tonë jashtë punës së të tjerëve, të dallojmë shoë-n nga jeta reale, telenovelën nga skena e përditshmërisë lodhëse, të ruajmë energji për çfarë na duhet e bën mirë, të mos mbushim egon tonë me fatkeqësitë e tjetrit dhe mos zbrazim qetësinë tonë me xhelozinë ndaj tjetrit, të dallojmë interesin publik nga “xhepi” i klikimeve dhe të mësojmë të meritojmë jetën që ndërtojmë e jo mbijetesën, që na imponojnë.

Kaq vend jemi, kaq njerëz kemi mbetur. Ia morëm erzin sho-shoqit”, shkruan Meço në postimin e saj.

Por pavarësisht qëndrimin të gazetares, që ndoshta me të drejtë thotë se videoja e konfliktit nuk përbën interes publik, jehona e asaj që ka ndodhur brenda pallatit mbretëror në Shqipëri ka gjetur jehonë dhe në mediat ndërkombëtare. Shumë tabloide, përfshirë dhe Daily Mail kanë shkruar për krizën mes çiftit, ashtu siç kanë shkruajtur kur ata lidhën kurorë, apo kur dolën publikisht që të njoftonin divorcin.

Gjatë ditës së sotme, Gjykata e Tiranës vendosi që si Elia Zaharia ashtu dhe Princ Leka të pajiseshin me urdhër mbrojtje, që i detyron që të mos qëndrojnë më afër se 5 metra nga njëri tjetri. Ndërkohë që Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e babait të aktores, Gjergj Zaharia që të pajisej me urdhër mbrojtje. Çifti prej disa muajsh ka nisur procedurat e divorcit.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB