
TIRANË- UNESCO ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Parkun Kombëtar të Butrintit, ditë kur u la në fuqi marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit. Në një reagim zyrtar, drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore njofton se shqetësimet do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.
Reagimi i UNESCO pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Butrintin
Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCOs, Lazare Eloundou Assomo konfirmon se ky komitet është duke monitoruar nga afër gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore 'Butrint'. Këto shqetësime do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të ardhshëm të 46-të, që do të mbahet në Nju Delhi, Indi, nga 21-31 korrik 2024. Të shpresojmë që ky hap i ndërmarrë nga UNESCO të mos i paraprijë vendosjes së Butrintit në listën e pasurive botërore në rrezik.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi një javë më parë kërkesën e bërë nga Partia Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e ligjit për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit duke lënë në fuqi marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillimin. Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja sqaron se për pretendimin për cënimin e parimit të ligjshmërisë, bazuar në nenin 118 të Kushtetutës, për shkak të dhënies së statusit ‘partner strategjik’ të AADF-së me një akt nënligjor, ajo vlerësoi se nuk ka juridiksion për shkak të natyrës individuale të këtij akti. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese shprehet se pavarësisht se menaxhimi i Butrintit do të realizohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, roli i shtetit mbetet parësor në raport me Parkun Kombëtar të Butrintit./ZËRI