
PARIS - Katie Ledecky nga SHBA-ja bëri histori pasi u bë notarja e parë femër që fitoi medalje të artë në katër Lojëra të ndryshme Olimpike. Ajo e ruajti titullin në 1500 metra stil i lirë me një paraqitje të shkëlqyer mbrëmjen e së mërkurës – shkruan British Guardian.
Ledecky jo vetëm fitoi, por i la pas rivalët e saj, sa publiku u befasua. Ajo e mundi notaren e vendit të dytë me një diferencë prej 18 sekondash, kështu që ndërsa garuesit e tjerë luftonin për çdo sekondë, ajo u ndal në buzë të pishinës për të marrë një pushim të merituar.
27-vjeçarja amerikane, e konsideruar gjerësisht si notarja më e madhe e të gjitha kohërave në distancë 1500m, shënoi kohën 15 minuta e 30.02 sekonda, duke thyer rekordin e saj olimpik. Francezia Anastasija Kirpičnjikova fitoi medaljen e argjendtë (15:40.35), ndërsa medaljen e bronztë i takoi gjermanes Izabel Goze (15:41.16).
“Isha vërtet e lumtur me kohën time”, tha Ledecky pas fitores. “Doja vetëm të notoja në një kohë me të cilën do të kënaqesha, gjë që në fund e arrita. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh një medalje të artë. Unë thjesht po përpiqem të marr më të mirën e çdo momenti”.
Kjo medalje e artë është e teta në lojërat olimpike, e cila e kalon atë në krye të listës së të gjitha kohërave për më shumë medalje të arta të fituara në notin për femra. Ledecky ka ende një shans për të fituar dy medalje të tjera - në stafetën 4 x 200 m të enjten dhe 800 m stil i lirë gjatë fundjavës. / ZËRI