
TIRANË- Atletja Luiza Gega është shprehur se ka parë me keqardhje se delegacioni shqiptar ka valëvitur një flamur që nuk është origjinali shqiptar, por prodhimi kinez. Në një prononcim për TvKlan, Gega tha se është e papranueshme që ekipi shqiptar të parakalojë me një flamur të tillë, kur në fakt simboli kombëtra duhet të jetë i pacënueshëm në gara të tilla.
“Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu, sepse mendoj që unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.Kush e ka përgjegjësinë për këtë flamur? Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri,”- tha Gega.


Për herë të 10-të, vendi ynë po garon në Lojërat Olimpike në Paris, me tetë përfaqësues në fusha të ndryshme. Atletja Luiza Gega mundësit Zelimkan Abakarov, Islam Dudeav e Chermen Valiev, atleti Franko Burraj, notarët Kaltra Meça e Grisi Koxhaku si dhe qitësja Manjola Konini. Kjo e fundit u eliminua pasi pas sfidës u rendit e parafundit. Me 3 dhe 4 gusht do të jetë përfaqësimi i radhës i Shqipërisë nga Gega dhe Burraj. Më pas, do të jetë radha e mundësve.
