
INTER- Kristjan Asllani luajti dje si titullar në ndeshjen që pati Interi me Real Sociedad, në kuadër të ndeshjeve në grupe në Champions League, por nuk mund të themi se shkëlqeu, praktikisht si gjithë pjesa tjetër e ekipit.
Asllani kishte një detyre jo të lehtë, të zëvendësonte trurin e këtij ekipi, Hakan Calhanoglu, por paraqitja e tij u kushtëzua shumë teksa u ndëshkua me karton të verdhë që në minutën e 12-të.
Asllani qëndroi në fushë deri në minutën e 55-të, ndërsa paraqitja e tij pas ndeshjes u vlerësua me notën 5, vetëm Arnautovic kishte notë më të ulët. Pavarësisht këtij fakti, Simone Inzaghi nuk e hodhi poshtë Asllanin, dhe tha se për rezultatin kishin të gjithë përgjegjësi, duke nisur nga ai vetë i pari.
Tekniku italian tha se të gjitha futbollistët e Interit kanë qenë të angazhuar me skuadrat kombëtare këtë periudhë dhe se gjendja e tyre fizike nuk është më e mira e mundshme.
“Të gjithë mund të bënim diçka më shumë, nga unë i pari. E dija që do të ishte një ndeshje e vështirë kundër një rivali me vlera. U treguam të zotë që qëndruam në lojë, në fund edhe mund ta fitonim këtë sfidë. Ndryshimet në formacion? Më pas është gjithnjë e lehtë të flasësh, do të doja të kisha bërë ndonjë ndryshim më shumë pasi djemtë kanë luajtur shumë këtë periudhë, kanë qenë të angazhuar edhe me ekipet përfaqësuese. Kam në dispozicion një grup me cilësi, duhet t’i shfrytëzojë, kush u fut në fushë bëri mirë”, u shpreh Inzaghi./Zëri.ai