
ITALI- ‘’Corriere dello sport’’ njoftoi se, në radhët e tifozëve që ndoqën sfidën kryesore të mbrëmjes së të dielës, Roma-Juventus 1-1, ishte vënë re prania e një trajneri të lirë, të njohur dhe eksperimental. Fjala është për holandezin, ish-drejtuesin e Mançester Junajtidit dhe Ajaksit të Amsterdamit, Ten Hagun.
Për Romën prej kohësh përflitet për të ardhmen e Ranierit dhe zërat që besojnë dhe shprehin se ai do ta mbyllë këtë vit me verdhekuqtë nuk janë të paktë. Nga ana tjetër, edhe Igor Tudori ka një kontratë të përkohshme. Ai synon vetëm mbylljen e këtij sezoni me Juventusin.
Në praktikë, terreni ku mbinë ‘’thashethemet’’ dhe ‘’spekullimet’’ për Ten Hagun që studion njerën nga skuadrat e tij të ardhshme në Itali, duket i shëndetshëm. Mirëpo po vetë sportivja italiane e hodhi poshtë këtë mundësi, duke e lidhur thjesht e vetëm me kohën e lirë të Ten Hagut dhe me përditësimin e tij me futbollin evropian.
Nga ana tjetër, nga përvojat e mëparshme, qoftë edhe nga rasti i Tudorit përpara se të merrte drejtimin e Juventusit, e dimë se përherë presidencat e bëjnë një ftesë vizite studimore për trajnerët që kanë nën radar. Dikur Tudori ftohej të shihte Juventusin e Motës. Fakti është që Ten Hagu ishte në shkallët e stadiumit me ftesë të Friedkinëve./ZËRI