Video

Njihuni me historinë e qytetit të Aleksandrit të Madh në Egjipt

Aleksandria sot është qyteti i dytë më i madh në Egjipt. Ky qytet mori emrin e Aleksandrit të Madh. Dikur ishte vend i lakmuar dhe një nga qendrat më të mëdha të banuara në botë.

D.XH
Njihuni me historinë e qytetit të Aleksandrit të Madh në
Aleksandria

EGJIPT - Aleksandri i Madh nuk e pa kurrë qytetin që ai imagjinonte dhe i kishte vënë emrin e tij, gati dy mijëvjeçarë e gjysmë më parë. Ai ishte atje për ta përcaktuar atë, duke përdorur kokrra elbi siç thotë historia, për t'u larguar më pas dhe për të vazhduar pushtimet e tij, përpara se të vdiste në moshën 32-vjeçare në Babiloni, më shumë se 1300 km (800 milje) nga Aleksandria. Ai mund të ketë vdekur, por qyteti i tij jo.

Aleksandria sot është qyteti i dytë më i madh i Egjiptit. Aleksandria, ‘nusja e detit’ siç thonë arabët për shkak të vendndodhjes së saj në Mesdhe, shpesh injorohet kur diskutohet për qytetet më të mëdha në botë. Rëndësia e tij – dikur ishte rival i Romës – harrohet, por hisorianët na orientojnë në një udhëtim magjepsës nëpër historinë e qytetit dhe tragjeditë e tij.

Ne ndeshemi me sundimtarët e qytetit – duke përfshirë një periudhë të shkurtër në shekullin e nëntë, kur kontrollohej nga piratët nga Spanja – dhe të gjitha popullsitë që e kanë kthyer qytetin në banesën e tyre, duke përfshirë grekët, egjiptianët, hebrenjtë, arabët, turqit, francezët, britanikët dhe italianët.

Themelimi

Aleksandria simbolizon Aleksandrin e Madh. Të dy simbolizojnë kozmopolitanizmin: Aleksandria me popullsinë dhe identitetin e saj të përzier, Aleksandri në ndikimin e tij në tre kontinente.

Por ndërsa gjenerali më i madh i kohëve emëroi shumë qytete me emrin e tij (Kandahar në Afganistan dhe Khujand në Taxhikistan u emëruan fillimisht për nder të tij), sot ekziston vetëm një Aleksandri.

Issa, një historian vendas, bën një punë fantastike për të shpjeguar historikun e qytetit, duke ndarë historitë, mitike dhe faktike, që e kanë bërë Aleksandrinë qytetin që është sot, më i madhi në Detin Mesdhe.

Ka disa të dhëna magjepsëse. Legjenda thotë se Helena e Trojës u dërgua në atë që sot është Aleksandria. Kupola e Shkëmbit në Jerusalem u modelua në një kube të artë në qytetin egjiptian. Venecia e quajti Bazilikën e Shën Markut sipas një shenjtori, trupin e të cilit e vodhën tregtarët venecianë nga Aleksandria. Dhe Sionizmi, Liga Arabe dhe revolucioni i Egjiptit i vitit 2011 kanë të gjitha lidhje me qytetin.

Por në fillim, Aleksandria quhej Pharos, një ishull në brigjet e Egjiptit. Një rrugë u ndërtua në kontinent dhe depozitimi gradual natyror e zgjeroi atë për të formuar vendndodhjen që njohim sot. Rritja e qytetit pas themelimit të tij nga Aleksandri dhe sundimi i dinastisë Ptolemeike (305-30 para Krishtit) që pasoi, bëri që këtu të shkojnë një fluks i shpejtë njerëzish nga e gjithë bota e lashtë mesdhetare, të tërhequr nga ajo që autori e quan "Ëndrra Aleksandriane”. Njerëzit këtu gjetën një vend me rrugë të gjera, mermer të bollshëm dhe parqe gjigante, ku fari i Faros, një mrekulli e lashtë e botës, shërbente si statujë e lashtë e Lirisë.

Ideja moderne e historisë është shpesh një ide e luftës, por libri tregon mrekullitë e së kaluarës, si Biblioteka e Aleksandrisë, me kolonat dhe skulpturat e saj të mëdha, dhe muret e larta deri në tavan, të mbushura me rrotulla papirusi - dhe ndoshta mbi një milion libra në total deri në shekullin e parë para Krishtit.

Njihuni me historinë e qytetit të Aleksandrit të Madh në
Aleksandria 2

Vetë biblioteka ishte një projekt shtetëror që ishte parashikuar që në formimin e qytetit. Sundimtarët ishin të gatshëm të paguanin shuma të mëdha për të marrë tekste dhe për të sakrifikuar marrëdhëniet me shtetet e tjera, për t'i mbajtur ato në Aleksandri. Njerëzit që punonin në bibliotekë ishin të famshëm dhe nxënësit e shkollave në atë kohë që kishin për detyrë të mësonin përmendësh emrat e tyre.

Një nga studiuesit më të shquar në botë të Mbretëreshës Kleopatra, Issa i kushton një kapitull Aleksandrianit të Madh dhe Kleopatrës.

Mbretëresha, identiteti racor i së cilës ka çuar në një polemikë që Issa trajton në libër, ishte po aq kozmopolite sa vetë Aleksandri, teksa fliste 11 gjuhë. Ajo ishte gjithashtu e para nga dinastia helenistike Ptolemeike, që fliste plotësisht rrjedhshëm gjuhën egjiptiane.

E portretizuar shpesh në Perëndim si oportuniste dhe një person që bënte përpara na karrierë falë joshjeve, Issa thekson se aleksandrinët e shohin atë ndryshe. Ai shpjegon se si u rrit duke dëgjuar histori për të. "Ajo ishte një burim krenarie, ishte një intelektuale që debatonte me burra të fuqishëm", shprehet Issa, përpara se të sillte burime mesjetare arabe që e portretizojnë mbretëreshën si grua të respektueshme, duke u fokusuar në kontributin e saj në mjekësi, në vend të pamjes së saj fizike.

Qyteti në lashtësi dhe sot

Mënyra se si Issa trajton Kleopatrën është një dëshmi e rëndësisë së historisë së Aleksandrisë që tregohet nga një vendas, dikush nga qyteti, në një kohë kur historitë e rajonit më të gjerë tregohen shpesh nga të huajt. Historia e Issa-s tregon për dashurinë që ai ka për qytetin e tij.

Duke u larguar nga e kaluara e lashtë e Aleksandrisë, përmes pushtimit arab dhe më pas pushtimeve evropiane, ne vijmë në kohët më moderne. Mësojmë më shumë rreth historisë familjare të Issës në Aleksandri. Ai tregon se paraardhësit e tij nuk kanë qenë as mbretër e as ndonjë hyjni, por mësues dhe peshkatarë.

Gjyshi i Issa-s ishte një fqinj i presidentit egjiptian Gamal Abdel Nasser dhe jetonte në zonën e klasës punëtore të Aleksandrisë ‘Bacos’ – emërtuar kështu sipas hyjnisë së lashtë Bacchus. Prindërit e tij kanë kujtime nga Lufta Gjashtë Ditore e vitit 1967 me Izraelin dhe nga vdekja e një anëtari të familjes në Luftën e Tetorit të vitit 1973.

Vetë Aleksandria është zgjeruar, nga ishulli origjinal, tani shtrihet përtej gjirit dhe thellë në jug. Rëniet dhe ngritjet shekullore, së bashku me fatkeqësitë natyrore dhe zhvillimin e shpejtë e kanë kthyer atë nga vend me rrugët e lashta të gjera në një qytet rrugicash, siç e përshkruan libri, ku të gjithë dinë lajmet e fqinjit të tyre. Trazirat që janë shfaqur në pjesën tjetër të Egjiptit, pjesërisht si rezultat i vështirësive ekonomike të vendit, por edhe autoriteteve të tij represive, jehuan në Aleksandri, edhe me vrasjen e bujshme të një të riu, Khaled Said, nga policia egjiptiane në vitin 2010.

Një grup në Facebook do të formohej për të kërkuar drejtësi, duke u bërë përfundimisht një nga grupet që organizuan lëvizjen protestuese, që do të rrëzonte Presidentin Hosni Mubarak.

Përplasja ka kontribuar në identitetin e qytetit, por po ashtu edhe historia e tij. Issa citon një artist të njohur, Maruan Pablo, i cili këndon "Unë nuk jam nga Egjipti, unë jam nga Alexandriaaa". Kjo nuk do të thotë që vendasit nuk janë egjiptianë e krenarë, ata janë. Por ata janë edhe nga ky vend që quhet Aleksandri.

Qyteti nuk është aq kozmopolit sa ishte dikur, apo siç do ta kishte parashikuar dikur vetë Aleksandri. Evropianët dhe hebrenjtë janë larguar në masë të madhe, por jo shumë kohë më parë. Babai i Isës kujton ende pastiçerin vendas që i fliste në arabishten egjiptiane teksa i jepte porosinë e tij. Ai ishte me origjinë greke.

Grekët dhe komunitetet e tjera mund të jenë zhdukur, por Issa thekson se kjo nuk do të thotë se kultura e qytetit është një monolit.

“Në një hapësirë të vetme, ka myslimanë dhe të krishterë të ulur së bashku, një burrë me mjekër dhe një goth në tavolinat ngjitur, dhe në radhë, një grua e veshur me një fustan plazhi shumëngjyrësh përballë një tjetre me vello të zezë për fytyrën” deklaron Issa. “Në Aleksandrinë e sotme, në këtë qytet të globalizuar, ju jeni të lirë të keni çfarëdolloj identiteti kulturor që dëshironi”, shton ai.

Gjithsesi, Aleksandria është një qytet arab dhe me shumicë myslimane, por hegjemonia e dukshme e sotme po jeton nën influencat e turistëve dhe të huajve. Trashëgëmia e popullsisë është e përzier. Issa e përfundon rrëfimin duke përshkruar një nga udhëtimet e tij në Aleksandri, mbërritjen nga deti, dhe sesi historia e qytetit vazhdon ende, si në imagjinatën e tij, ashtu edhe në pamjen e përditshme.

Dhe ky nuk është fundi i historisë. Kultura aktuale e Aleksandrisë, homogjeniteti që ka shoqëruar historinë postkoloniale të qytetit, nënvizon Issa, është rreth 75-vjeçare, një pjesë e vogël e historisë së tij 2500-vjeçare. "Pra, kush e di se çfarë do të ndodhë dy mijëvjeçarë e gjysmë nga tani?", nënvizon ai.

Çfarëdo që të sjellë e ardhmja, do të jetë e vështirë të tregohet historia e saj në një mënyrë më të informuar dhe më të dashur sesa Issa. Historia e tij është një diamant për Aleksandrinë, një rezervuar njohurish mbi qytetin dhe vendos një standard, për ata që dëshirojnë të tregojnë historitë e qyteteve të mëdha të botës./Al Jazeera-Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB