Qytetërim

Numri një i botës mungon, numri dy u eleminua! BNP Paribas Open, një mundësi e artë për Carlos Alcarazin

I treti në renditjen botërore është 21-vjeçari spanjoll Carlos Alcaraz

Redaksia Zëri
Numri një i botës mungon, numri dy u eleminua! BNP Paribas Open,
Carlos Alcaraz

KALIFORNI- Në Indian Wells të Kalifornisë po zhvillohet raundi i tridhjetëedyshes në BNP Paribas Open. Edhe pse ky turne nuk është pjesë e katër turneve të Grand Slam-it (Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open), ai mbetet një nga më të luftuarit e ATP Masters 1000 (turnetë e tjerë ATP Masters 1000 janë Canadian Open, Italian Open, Miami Open, Monte Carlo (jo i detyrueshëm), Madrid Open, Cincinnati Open, Shanghai Masters dhe Paris Masters). Fituesi i turneut do të shtojë 1000 pikë në renditjen vjetore.

Organizimi kalifornian nisi me surpriza: hollandezi Tallon Grieskpoor-i eleminoi numrin dy të Botës, Alexander Zverev-in. Në këtë organizim, numri një i botës në tenis, italiani Jannik Sinner, nuk luan. Ai është pezulluar për 3 muaj pasi në dy kontrolle të kryera iu gjetën gjurmë të Clostebolit, një steroid anabolik i ndaluar për t'u përdorur në sport. Ky pezullim nuk do ta ndryshojë renditjen botërore të tenistëve. Sinner, edhe pa luajtur, do të mbetet numri një i botës edhe pasi Indian Wells Open të përfundojë. Kur Sinner të rikthehet në stërvitje më 21 prill, askush nuk do të ketë pikët e mjaftueshme për ta rrëzuar nga froni kryesues për vitin 2025. Diferenca në pikë mes tij dhe Zverevit është e konsiderueshme: 11,330 kundrejt 8,135 pikëve. Ky kryesim i sigurt në renditje është rezultat kryesisht i fitores së Sinner-it në finalen e Australian Open ndaj Zverev-it në janar, fitore që i siguroi 2000 pikë pas triumfit 3-0 në sete. Një tjetër surprizë ishte edhe eleminiminimi i pesë herë kampionit serb, Novak Djokoviç nga surprizuesi Botic van de Zandschulp.

I treti në renditjen botërore është 21-vjeçari spanjoll Carlos Alcaraz. Alcarazi e mundi francezin Quentyn Halys paraditen e kësaj të diele dhe vijon rrugëtimin si fituesi në fuqi dhe pretendenti kryesor i këtij turneu, në mungesë të numrit një dhe dy të renditjes Botërore për vitin 2025.

Amerikani Taylor Fritz, mbrëmjen e së shtunës eleminoi italianin Matteo Gigante. Taylor Fritzi renditet i katërti në listen e ATP dhe me gjasë do të "ndeshë brirët" me Alacarazin për këtë turne, sidomos tani që edhe Djokoviç nuk do të vijojë garimin.

Nëse spanjolli Carloz Alcaraz e fiton këtë turne, jo vetëm që do të kapërcejë Zverevin për t’u renditur i dyti në renditjen vjetore, por gjithashtu do të bëhej kampion i BNP Paribas Open për të tretën herë radhazi, duke iu bashkuar legjendave të tenisit Novak Djokovic (fitues në 2014, 2015 dhe 2016) dhe Roger Federer (2004, 2005 dhe 2006).

BNP Paribas Open, në historinë e 51-vjeçare të tij është fituar më së shumti nga Novak Djokovic dhe Roger Federer, secili nga 5 herë. Zvicerani Federer mban gjithashtu rekordin për më shumë finale të luajtura (9), më shumë ndeshje të zhvilluara (79), më shumë ndeshje të fituara (66), më shumë pjesëmarrje në turne (18) dhe është fituesi më i vjetër në histori, duke triumfuar në moshën 35 vjeç e 7 muaj në vitin 2017. Edhe pse i ri në moshë, spanjolli Alcaraz mban një tjetër rekord mbresëlënës në Indiana Wells: përqindjen më të lartë të fitoreve, 89.47%, me bilancin 17-2./ZËRI

Poll

MOS HUMB