
TIRANË- Pas daljes nga ambientet e paraburgimit, ku qëndroi për 10 ditë, Noizy është rikthyer fuqishëm në rrjeret sociale dhe jo vetëm. Pas shfaqjes çdo natë në klube të ndryshme të vendit, ditën e mërkurë ai ka njoftuar një koncert që do të mbajë për fansat në stadiumin Selman Stërmasi në Tiranë.
Ndërkohë që në njoftimin e bërë për koncertin, Noizy ka shigjetuar dhe personat e politikës që sipas tij kanë tentuar që ta burgosin duke i ndalur suksesin. Në këtë pikë, reperi duket se i referohet autoriteteve në Kosovë, që kërkuan dhe ekstradimin e tij, pasi në Shqipëri atij nuk i ka hyrë asnjëherë ‘gjembi në këmbë’, edhe për shkak të raporteve shumë të mira që ka me politikanët në pushtet. Madje ai ka qenë dhe pjesë e turit që kryeministri Edi Rama ka pasur me emigrantët jashtë vendit.
“Plani politikës ishte të më ndalnin suksesin dhe punën që unë di të bëj më së miri ‘Muzikën&Koncertet’, mirëpo Zoti kishte plane të tjera për mua”, shkruan Noizy, ndërsa shton më tej: “Dhe ja ku jemi këtu duke ju vërtetuar se asgjë nuk mund të na ndalë kur jemi në të drejtën tonë dhe në rrugë të Zotit”.
Ai u lirua nga paraburgimi pak ditë më parë duke ofruar garanci pasurore në vlerë 50 mijë euro.
Nga ana tjetër, DJ i tij Crax vazhdon akoma të jetë në paraburgim, ndërsa akuzohen për rrahje me pasoja të rënda të Medi Isenit./ZËRI