
GJERMANI- Kjo e dielë sportive në Euro 2024 mbyllet me sfidën mes Serbisë dhe Anglisë e cila nis në orën 21:00 dhe vlen për Grupin C. Në Gelsenkirchen ka pasur përleshje të dhunshme mes serbëve dhe anglezëve, teksa janë dhjetëra të arrestuar dhe dy të plagosur mes policisë dhe ultrasve. Media angleze "Standard" shton se sherri mund të ketë nisur fillimisht mes një grupi shqiptarësh dhe serbësh dhe më pas janë përfshirë edhe anglezët.
Tavolina, karrige dhe shishe dukej se ishin hedhur mes dy grupeve të tifozëve. Në pamjet që qarkullojnë në kanalet e komunikimit duket policia që arreston tifozë të përfshirë në përleshje, teksa pamjet janë të rënda, duke mos munguar as gjakosja apo sendet e forta.
Ndërkohë Daily Mail raporton se sipas informacioneve që ka marrë nga policia, bëhet fjalë për më shumë se 6 persona të arrestuar, por sipas autoriteteve është deklaruar se është herët për të folur për shtetësinë e tyre. Autoritetet gjermane kanë vendosur 1300 oficerë më shumë se zakonisht dhe kanë ndaluar shitjen e pafundme të alkoolit gjatë të dielës (rasti i vetëm i kufizimeve në të gjithë turneun, të paktën tani për tani)./ZËRI