
KOSOVË- Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës për herë të nëntë në histori, duke mposhtur Llapin me rezultatin 1 me 0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, kur Llapi mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Arbnor Ramadanit në minutën e 58-të. Vetëm dy minuta më pas, Albin Krasniqi shënoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë Prishtinës fitoren dhe trofeun.
Ky triumf ka rëndësi të dyfishtë për klubin kryeqytetas, pasi përveç Kupës, ata sigurojnë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane pas katër vjetësh mungesë. Një natë historike për bardhekaltrit dhe tifozët e tyre, të cilët tashmë kanë arsye të shpresojnë për paraqitje dinjitoze në skenën ndërkombëtare. Skuadrat me të cilat Prishtina mund të përballet në Ligën e Evropës janë emra me peshë si Shaktari ukrainas, Legia e Varshavës, Sherifi i Tiraspolit, Kluzhi rumun dhe Çelje.
10 mijë shikues e panë këtë finale, duke i dhënë shumë entuziazëm dhe peshë takimit. Prishtina u bashkohet Dritës dhe Ballkanit si tre skuadrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë. Pritet edhe një e katërt, që me gjasë do të jetë Malisheva, në varësi të mbylljes së kampionatit./ZËRI