Qytetërim

Pse zhvillimi i Botërorit në Arabinë Saudite nuk duhet të habisë askënd?

Australia është tërhequr si kandidate për të organizuar Botërorin 2034. Arabia Saudite duket se do jetë organizatorja e eventit më të rëndësishëm futbollistik.

D.XH
Pse zhvillimi i Botërorit në Arabinë Saudite nuk duhet të
Kupa e Botes ne Arabine Saudite

RIAD -  Askënd nuk duhet ta habisë fakti që Arabia Saudite mund të jetë organizatore e Kupës së Botës për vitin 2034.

Organizimi i një Kupe Bote në Arabinë Saudite është parashikuar prej kohësh, me investimet e paprecedenta brenda vendit në sport, gjatë viteve të fundit.

Vendi ka nisur të mbështesë fuqishëm jo vetëm futbollin, por edhe golfin dhe boksin. Kampionati arab ka bërë goditje befasuese në merkato, duke blerë futbollistë me emër, që paguhen me shifra marramendëse.

Pavarësisht investimeve saudite në sport, organizimi i një Kupe Bote, do të ishte ‘finalizimi’ i përpjekjeve të sauditëve, në drejtim të zhvillimit të sportit.

Por, vendi përballet me shqetësime që variojnë nga çështjet e shkeljes të drejtave të njeriut deri te fakti që Botërori në Arabi do të duhej të mbahej në dimër, pasi vera atje bën shumë nxehtë.

Në fakt, Arabia do të duhej gjithashtu të niste punë dhe me ndërtimin e stadiumeve. Katari u kritikua jo pak, pasi duke ndërtuar stadiume, shumë punëtorë vdiqën.

Arabia Saudite është një vend që ka probleme me abuzimet e të drejtave të grave, kriminalizimin e homoseksualitetit, kufizimin e lirisë së fjalës, mbajtjen në fuqi të dënimit me vdekje, ka akuza për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018 dhe vendi mund të përfshihet në konflikt me Jemenin.

Autoritetet saudite e mohojnë këtë, duke këmbëngulur se oferta e tyre është krijuar për të ndihmuar në modernizimin e vendit, për të rritur sportin, për të frymëzuar një popullsi rinore, për të nxitur turizmin, për të diversifikuar ekonominë dhe për të qenë një forcë unifikuese.

Ata tregojnë përparimin e bërë në futbollin e femrave dhe argumentojnë se ky është një hap tjetër i natyrshëm, pas organizimit me sukses të shumë ngjarjeve në shumë sporte. Autoritetet në vend përmendin themelimin e Ligës Saudite, si një ligë e fortë futbolli, blerjen e klubit Newcastle United dhe përgatitjen për të organizuar Botërorin e Klubeve këtë dimër, së bashku me Kupën e Azisë AFC në 2027. Sauditët kanë prezantuar ofertën e tyre dhe Konfederata e Futbollit Aziatik mbështeti këtë ofertë.

Fakti që Australia tani ka vendosur të mos japë ofertë, tregon se ata e dinin se përballë do të kishin sauditët, e prandaj janë tërhequr nga gara për organizimin. Mënyra sesi po shkon procesi për përcaktimin e vendit organizator për Botërorin 2034, ka ngritur jo pak shqetësime, për atë se FIFA ndoshta mund të jetë duke favorizuar sauditët.

Në mars, Forumi i Ligave Botërore - i cili përfaqëson ligat vendase në mbarë botën - shprehu shqetësime se FIFA nuk e kishte njoftuar mbi kalendarin e ri global të futbollit, duke përfshirë zgjerimin e Kupës së Botës për meshkuj 2026 dhe versionet e reja për Botërorin e Klubeve.

Human Rights Watch ka akuzuar gjithashtu FIFA-n për injorimin e rregullave, që kishte reklamuar vetë. "Fakti që FIFA mund t'i japë Arabisë Saudite organizimin e Kupës së Botës 2034, pavarësisht historisë së tmerrshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dyerve të mbyllura për çdo monitorim, tregon se qeveria globale e futbollit po anashkalon kriteret", nënvizonte organizata.

FIFA ka refuzuar të komentojë, por privatisht këmbëngul se nëse Arabia do jetë organizatore e Kupës së Botës 2034, do t’i kërkohet të respektojë të drejtat e njeriut në vend.

Shumë pak persona mund të prisnin që dy vende të Lindjes së Mesme, si Arabia Saudite dhe Katari, të organizonin eventin më të rëndësishëm botëror të futbollit. Por, tani kjo po ndodh.

Ndërkohë sauditët do të vazhdojnë të mbrohen kundër asaj që ata e shohin si hipokrizi. Ata thonë se europianët bëjnë tregti me ta lehtësisht e nuk ka asnjë pengesë për këtë. Autoritetet saudite do përmendnin rastin e Katarit, që megjithëse mori kritika, sërish pati sukses në organizimin e Botërorit.

Me Australinë që nuk është më në garë për të organizuar Botërorin e 2034, Arabia Saudite duket se do jetë organizatore e eventit mjaft të ndjekur në mbarë botën./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB