Qytetërim

PSG, Inter dhe Barcelona, tri skuadra që shpresojnë tripletën

Barcelona të shtunën e ardhshme do të diskutojë finalen e Kupës me Realin e Madridit, i cili është këmba-këmbës edhe ndjekësi i saj më i afërt në kampionat

Redaksia Zëri
PSG, Inter dhe Barcelona, tri skuadra që shpresojnë tripletën
FOTO ILUSTRUESE

ITALI- Tripleta, jozyrtarisht, është një medalje e artë në raport me historinë: skuadra që fiton edhe kampionatin vendës, edhe kupën, edhe kupën e kontinentit në të njëjtin vit dëshmon dhe le një gjurmë historike se ai vit ka qenë një ndër kulmet më të larta të historisë së saj.

Gjasat janë që ky të mos jetë vetëm një interpretim, por e vërtetë: nëse fati të shoqëron në njerën garë, te tjetra mund të dështojë. Fat në të tri garat nuk mund të kesh. Aty është pjekuri dhe zotësi e grupit. Evropa, këtë herë, si rrallë herë, në gjysëmfinale ka tre skuadra nga katër, që janë ende në lojë për tripletën.

Paris San-Zhërmeini i Luis Enrikes e ka hesapin e mbyllur me Ligën 1. 22 pikë mbi vendin e dytë, prej kohësh e ka festuar titullin vendës. Më 24 prill do të diskutojë finalen e Kupës me Reimsin. Ndërsa në Ligën e Kampioneve përballë do të ketë të vetmen skuadër që nuk është në garë për tripletë, Arsenalin.

Barcelona të shtunën e ardhshme do të diskutojë finalen e Kupës me Realin e Madridit, i cili është këmba-këmbës edhe ndjekësi i saj më i afërt në kampionat. Në 11 maj, edhe në kampionat, i duhet të diskutojnë titullin sy më sy. Për momentin, katalanasit, me një ndeshje më tepër, 8 javë nga mbarimi i kampionatit, janë 7 pikë mbi Realin e Madridit. Në Ligë Kampionesh kundërshtar do të jetë Internacionale e Milanos, Interi.

Nga ana e tyre, zikaltrit interistë, finalen e Kupës ende nuk e dinë se me kë do ta luajnë: së pari u duhet të mendojnë kalimin e derbit të gjysëmfinales me Milanin. Në kampionat, sot, ka pikë të barabarta me Napolin ndjekës dhe 1 ndeshje më pak për të luajtur, 6 javë nga fundi i kampionatit. Në këtë kuptim, Barcelonës dhe Interit i duhen më shumë sforco për të arritur këtë kulm.

Sido të jetë, gjasat janë që ky i tripletave të Interit dhe Barcelonës të jetë një ngritje, por jo maja më e lartë historike. Barcelonën më të mirë e kemi ende të freskët. Ndërsa për Inferin më të mirë të historisë duhet gërrmuar pak më herët në histori.

Kurse për PSG-në është tjetër llogari: grupi i Enrikes këtë vit vërtetë ka sjellë gola, cilësi, shpejtësi dhe po përjeton vitin futbollistik më të mirë dhe më të bukur të historisë së klubit.

Nga ana tjetër, Arsenali, pavarësisht figurës së shkëlqyer ndaj Realit të Madridit, duket sikur e ka diçka më pak se tre të tjerat dhe fakti që përballë PSG-së është Arsenali, në thelb e mbart një avantazh të lehtë.

Një tjetër e dhënë që i jep të drejtë PSG-së të shpresojë është se çdo finale e Ligës së Kampionëve, e cila është luajtur në Mynih ka nxjerrë fitues një ekip që nuk e ka fituar kurrë më parë trofeun. PSG-ja duket se e plotëson edhe këtë kusht./ZËRI

Poll

MOS HUMB