
ZVICËR- Kombëtarja e Zvicrës ka qenë gjithmonë një grup me futbollistë që kanë origjina të ndryshme, shumë prej tyre shqiptarë. Zviceranët po përgatiten për "Euro 2024" dhe trajneri i skuadrës, Murat Yakin dha një konferencë për shtyp ku edhe u pyet nëse Kombëtarja ishte “shqipëruar” mjaftueshëm.
I vendosur përballë një pyetjeje të vëzhtirë, trajneri zviceran, i cili vetë ka rrënjë turke, e 'zbuti' pyetjen duke u përgjigjur me humor.
“Një ditë shqipja do të bëhet gjuha e pestë zyrtare e Zvicrës. Edhe unë kam origjinë turke, ju e dini këtë gjë. Nuk do bëj diskriminime. Kam luajtur me lojtarë të kulturave të ndryshme, padyshim edhe nga Shqipëria dhe Kosova, ndaj kjo gjë nuk përbën asnjë problem për mua,"-tha ai në fjalën e tij.
Kombëtarja e Zvicrës ka publikuar listën për dy ndeshjet e muajit qershor në kuadër të eliminatoreve për Europianin e vitit 2024. Helvetët kanë në ekipin e tyre dy kapitenët Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, si dhe sulmuesin e ri Andi Zeqiri, i cili po shkëlqen së fundmi me fanellën e Baselit. Pjesë e grupit të Zvicrës më parë kanë qenë edhe: Valon Behrami, Blerim Xhemajli dhe Admir Mehmedi dhe Shani Tarashaj./ZËRI