ARABI SAUDITE- Mbrëmja që duhej të ishte vendimtare për garën e titullit në Arabinë Saudite u shndërrua në një makth për Cristiano Ronaldon dhe Al Nassr. Në supersfidën e kampionatit, Al Hilal i drejtuar nga Simone Inzaghi triumfoi 3–1, duke u shkëputur në +7 pikë në krye të renditjes dhe duke hedhur një hap gjigant drejt titullit.
Edhe pse Ronaldo realizoi golin e avantazhit të përkohshëm, ndeshja i doli shpejt nga kontrolli. Episodet e diskutueshme arbitrale, përfshirë kartonin e kuq për portierin Al Aquidi dhe dy penallti kundër Al Nassr, rritën ndjeshëm tensionin në fushë. Nervozizmi i CR7 arriti kulmin në minutën e 83-të, kur trajneri Jorge Jesus vendosi ta zëvendësonte në mënyrë të papritur, me skuadrën që po humbiste 2–1 dhe ishte me një lojtar më pak.
Reagimi i ‘yllit’ portugez ishte i ashpër: duke dalë nga fusha, ai tundte vazhdimisht kokën, murmëriste “e pabesueshme” dhe i shtrëngoi dorën trajnerit me një buzëqeshje sarkastike, gjest që rrezikon të sjellë pasoja edhe për vetë Jorge Jesus.
Pas vërshëllimës finale, zemërimi i Ronaldos mori një tjetër përmasë. I vetëdijshëm se po filmohej, ai u drejtua nga kamerat dhe bëri qartë gjestin e parave dhe të “vjedhjes”, duke lënë të kuptohet se ndeshja ishte e manipuluar në favor të Al Hilal-it. Një akuzë e rëndë, e lindur nga frustrimi dhe nga frika se “zero titujt” në Arabinë Saudite po bëhen gjithnjë e më realë, ndërsa Simone Inzaghi po i afrohet gjithnjë e më shumë kurorëzimit kampion.