
SHKODËR- Vllaznia rikthen në drejtim të ekipit Thomas Brdaric. “Mirë se u ktheve”, shkruan klubi në një postim në faqen zyrtare në Instagram, duke konfirmuar zyrtarizimin e Bërdariç në stolin kuqeblu.
Gjermani do të marrë drejtimin e shkodranëve që kërkojnë titullin kampion pas 23 vitesh. Ish-lojtari i kombëtares gjermane drejtoi edhe me herët kuqeblutë, duke i rikthyer te suksesi pas shumë vitesh.
Pas largimit nga Vllaznia në 14 marsin e 2022, Brdaric drejtoi për 28 ndeshje Chennaiyin në Indi dhe Al Arabi (3 takime) në Kuvajt.
Vllaznia u eleminua nga gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë një ditë më parë nga Egnatia, e cila barazoi 1-1 në “Loro Boriçi” dhe përfitoi nga fitorja e takimit të parë 1-0.
Ky dështim në njërin nga objektivat sezonalë të klubit shkodran i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit Qatip Osmani, i cili nuk do të jetë më në krye të Vllaznisë në këtë fundsezoni.
Në njoftim theksohet se palët kanë arritur të gjejnë mirëkuptimin për të mbyllur bashkëpunimin. Por ajo që është e çuditshme ka të bëjë se para ndeshjes me Egnatian, kur Vllaznia ishte në garë për të dyja trofetë, dukej e paimagjinueshme që trajneri të largohej në këtë pjesë të sezonit kur Final 4 duket i sigurt dhe titulli është vetëm dy ndeshje larg.