
TIRANË- Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Silvinjo deklaroi se për të fituar kundër Çekisë, duhet që kuqezinjtë të japin shpirtin dhe zemrën në fushë. Tekniku 49-vjeçar tha në konfernecën për shtyp përpara sfidës së vlefshme për kualifikueset e Euro 2024 se për ketë përballje nuk do të luajë Armando Broja, për shkak të një dëmtimi.
Në fillim, braziliani dha përshtypjet e tij për sfidën.
"Na pret një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo vendimtare. Çekia është një skuadër fizike, nuk ka humbur ende, teksa ata kanë pësuar vetëm dy gola. Na pret një punë e madhe, duhet të derdhim shumë djersë. Na presin tri finale, nuk do të jenë të lehta, por jemi gati dhe të përgatitur,"- deklaroi 49-vjeçari.
Ai tregoi edhe shpirtin e kësaj kombëtareje.
"Forca e kësaj skuadre është shpirti i garës, zemra që vendosin lojtarët në fushë dhe tifozët. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për entuziazmin e krijuar, por ky nuk është problem. Nuk kemi pasur shumë nevojë të punojmë psikologjikisht, pasi djemtë janë gati dhe të ndërgjegjshëm për rëndësinë e takimit."
Silvinjo sqaroi se përse Broja nuk mund të luajë.
"Kemi bërë dy seanca stërvitore. Më vjen keq, por Broja nuk ia del dot! Eshtë stërvitur shumë pak. Ka një shqetësim fizik, doktori ynë ka qenë në kontakt edhe me doktorin e Chelsea. Kemi lojtarë të tjerë, të cilët duhet t’i menaxhojmë mirë. Gjasula është rikthyer, nuk ka probleme."
Braziliani tregoi se përse kjo është sfida më e rëndësishme për të.
"Një ndeshje që e menaxhoj si të tjerat. Të gjithë ndeshjet janë të vështira. Kjo është më e rëndësishmja për mua si trajner, por nuk është vendimtare. Na duhen pikë, duhet të marrim pikë dhe do të bëjmë maksimumin për t’ia arritur objektivit,"- tha 49-vjeçari duke shtuar: Është shumë e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën në fushë, për tifozët tanë. Kjo është forca e kësaj skuadre. Dhe kështu do të ndodhë.
Trajneri theksoi se taktika do të jetë e njellojtë si në sfidën e parë. Edhe objektivi nuk ka ndryshuar.
"Nëse nuk fitojmë dot, atëherë barazimi pranohet. Por ne do të futemi në fushë për të fituar ndeshjen."/Zëri.ai