
MOLDAVI – Kombëtarja e Shqipërisë luan nesër, 17 nëntor, ndeshjen e radhës për kualifikueset e Euro 2024.
Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Silvinho, duke folur nga Kishinau, deklaroi se Moldavia është një ekip i fortë, ndërsa shtoi se sfida është një finale.
“Në futboll luhet vetëm për 3 pikë, nëse nuk arrihet kjo, asnjë prej ekipeve nuk ka qenë i aftë. Ne futemi në fushë për fitore dhe unë besoj se edhe Moldavia ka këtë objektiv. Për ne është një finale. Ne e dimë se Moldavia është e fortë, pasi mundi Poloninë në shtëpi. Ne kemi seriozitetin për t’u përballur me çdo ekip. Bëmë një ndeshje tepër të mirë me Çekinë, por djemtë e dinë shumë mirë se asgjë nuk ka mbaruar.
Ne e dimë se Moldavia është një ekip i mirë, ka lojtarë të mirë dhe shumë prej tyre janë dhe fizikë. E dimë po ashtu se janë të vështirë të munden në fushën e tyre. Ne kemi mësuar të bëjmë sulme të mira. E gjithë vëmendja ime për momentin është pikërisht këtu, për sfidën ndaj Moldavisë. 70 përqind e grupit që kam me vete kanë luajtur më herët, kanë cilësi, ndaj unë kam besim se do dalim mirë”, tha trajneri i Shqipërisë, Silvinho.
Kapiteni Gjimshiti: Luajmë për fitore, nuk e mendojmë barazimin
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, në fjalën e tij në konferencën për mediat, deklaroi se ekipi nuk e mendon barazimin, por do të luajë për fitore.

“Objektivi ynë është që të shkojmë në Europian. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë sfidë. Shpresoj se do ia dalim mbarë. Ne luajmë gjithmonë për fitore dhe nesër do synojmë të marrim 3 pikët. Jemi përgatitur për këtë”, tha kapiteni Gjimshiti.
Shqipëria luan nesër, 17 nëntor ndaj Moldavisë, në orën 18:00 në Kishinau, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Ekipit tonë përfaqësues i duhet vetëm 1 pikë për t'u kualifikuar./Zëri.ai/