
BRITANI E MADHE- Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka dhënë dorëheqjen dy ditë pas humbjes ndaj Spanjës në finalen e Kampionatit Evropian 2024. "Tre Luanët" humbën 2-1 në Berlin të dielën - duke shënuar humbjen e dytë radhazi në një finale të "Euro2024", pasi u mundën me penallti nga Italia në Wembley tre vite më parë.
Southgate, 53 vjeç, drejtoi vendin e tij për 102 ndeshje përgjatë 8 viteve.
“Si një anglez krenar, ka qenë nderi i jetës sime të luaja për Anglinë dhe të drejtoja Anglinë. Kjo ka qenë gjithçka për mua dhe kam dhënë gjithçka. Por është koha për ndryshim dhe për një kapitull të ri,"- tha Southgate sipas BBC.
Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit, Mark Bullingham tha se procesi për të emëruar pasardhësin e Southgate ka nisur. Ai shtoi se Federata Angleze ka një zgjidhje të përkohshme nëse do të jetë e nevojshme, por nuk do ta komentojë procesin derisa të emërohet pasuesi i Southgate.
Ndeshja e radhës e Anglisë është kundër Republikës së Irlandës në Ligën e Kombeve më 7 shtator.
Trajneri i "U-21", Lee Carsley mund të jetë një kandidat për një zgjidhje të përkohshme. Ndërsa për pasuesin e Southgate, po konsiderohen emrat e trajnerit të Newcastle, Eddie Howe; ish-trajnerit të Brighton dhe Chelsea, Graham Potter, dhe ish-trajnerit të Chelsea dhe Tottenham, Mauricio Pochettino. Por po ashtu, po përmenden edhe emrat e ish-trajnerit të Liverpool-it, Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel.
Gareth Southgate drejtoi Anglinë në 4 turne të mëdha, duke arritur gjysmëfinalet e Kupës së Botës në 2018 dhe çerekfinalet në 2022. Por presioni ndaj tij u shtua këtë verë pasi shumë tifozë besonin se ai nuk bënte mjaftueshëm edhe pse kishte një grup të mirë sulmuesish. Aq e madhe ishte pakënaqësia e tifozëve, saqë i hodhën edhe gota plastike pas barazimit 0-0 me Slloveninë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Euro 2024./ZËRI