
ANGLI- Thomas Tuchel-i, ish-trajneri i Chelsea-s, PSG-së dhe Dortmundit, ka marrë zyrtarisht drejtimin e kombëtares angleze. Tanimë ai do të zbresë në fushë për të praktikuar idetë për të cilat pranoi detyrën dhe firmosi më 1 janar.
Trajneri gjerman firmosi një kontratë 18-mujore. Ai do të qëndrojë në krye të "Tre Luanëve" deri në përfundim të finales së Euro 2026-s. Sfida e tij e parë do të jetë dy ndeshjet e eliminatoreve të Kupës së Botës 2026, kundër Shqipërisë e para më 21 mars, dhe tre ditë më pas ndaj Letonisë, ndeshje të vlefshme për grupin K, ku do t’i duhet të presë dhe shkëmbejë vizita edhe me Serbinë dhe Andorën.
Thomas Tuchel-i, 51-vjeçar është lindur më 29 gusht 1971, në Krumbach të Gjermanisë. Ai ka licencën më të lartë të trajnimit, UEFA Pro Licence. Skema e tij e preferuar dhe më e përdorura është 4-2-3-1. Nga futbolli i luajtur është shkëputur në moshën 23-vjeçare, nga skuadra modeste e SSV Ulm 1846. Në sezonin 2020/2021 u titullua si trajneri më i mirë në Botë, asokohe drejtonte Çelsin dhe në të njëjtin vit pati fituar Ligën e Kampioneve, Super Kupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube. Si trajner i PARIS SG, Tuchel-i pati fituar 2 kampionate franceze, 1 kupë franceze, 2 superkupa franceze dhe 1 kupë të Ligës. Në sezonin 2016/2017 pati fituar edhe një kupë të Gjermanisë me Borusian e Dortmundit. Si trajner moshash, me grupet 19-vjeçare, pati fituar dy here kampionatet U19 në Gjermani, me Maincin në 2009 dhe me Shtutgardin në 2005-n. Te Mainci nën urdhrat e tij kishte edhe ish-sulmuesin simpatik të kombëtares shqiptare, Jahmir Hykën. Në karrierën e tij si trajner klubesh, lojtari anglez më i përdorur nga Tuchel-i si trajner është Mason Mount-i (Çelsi), por ai nuk është pjesë e grumbullimit me anglezët. Dy njohje të vjetra, të cilat Tuchel-i i njeh mire e që janë pjesë e Anglisë janë Reece James-i (nga Çelsi) dhe Harry Kane-i (nga Bajerni i Mynihut).
Në përzgjedhjen e tij të parë me 55 emra, bie në sy grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Newcastle United-it Dan Burn-i, si edhe rikthimi i Marcus Rashford-it, i cili ka shkëlqyer në huazimin te Aston Villa duke arritur edhe në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve e duke qenë garues për një vend evropian në Ligë Kampionesh. Kapiteni i Bajernit, Harry Kane-i, pritet të mbajë shiritin e kapitenit ndërsa veteranët si Kyle Walker (tani te AC Milan) dhe Jordan Henderson-i (Ajax) janë gjithashtu pjesë e skuadrës. Portieri i Burnley-t, James Trafford-i është përzgjedhur falë paraqitjeve të tij të mira këtë sezon.
Lista e plotë e kombëtares angleze:
Portierë: Dean Henderson (Crystal Palace), Jordan Pickford (Everton), Aaron Ramsdale (Southampton), James Trafford (Burnley)
Mbrojtës: Dan Burn (Newcastle), Levi Colwill (Chelsea), Marc Guehi (Crystal Palace), Reece James (Chelsea), Ezri Konsa (Aston Villa), Myles Lewis-Skelly (Arsenal), Tino Livramento (Newcastle), Jarell Quansah (Liverpool), Kyle Walker (AC Milan)
Mesfushorë: Jude Bellingham (Real Madrid), Eberechi Eze (Crystal Palace), Jordan Henderson (Ajax), Curtis Jones (Liverpool), Cole Palmer (Chelsea), Declan Rice (Arsenal), Morgan Rogers (Aston Villa)
Sulmues: Jarrod Bowen (West Ham), Phil Foden (Manchester City), Anthony Gordon (Newcastle), Harry Kane (Bayern Munich), Marcus Rashford (Aston Villa), Dominic Solanke (Tottenham)./ZËRI