TIRANË- Tradita, zakone dhe besytni shoqërojnë mbrëmjen e Vitit të Ri. Një nga zakonet më të njohura mbetet veshja e rrobave të kuqe, veçanërisht të brendshmeve. Por ky zakon nuk është thjesht një zgjedhje estetike, është një simbol i fatit, shëndetit dhe i begatisë që shpresojmë të na shoqërojë gjatë vitit të ri.
Sipas traditës, veshjet e kuqe duhet të jenë të reja dhe të përdoren vetëm për këtë natë të veçantë. Pas festimeve, ato hiqen dhe shpesh hidhen, duke simbolizuar lamtumirën ndaj vitit që kalon dhe mirëseardhjen për një të ardhme më të ndritur.
Por nga e ka origjinën kjo zakon i veçantë?
Në shumë kultura, ngjyra e kuqe është përjetuar si shenjë e fatit. Në Kinë, për shembull, e kuqja ka një rol të rëndësishëm gjatë festimeve të mëdha, duke përfshirë dasmat, për të tërhequr fat dhe begati. Në Shqipëri, ky zakon është përshtatur dhe ruhet si një pjesë e veçantë e traditës së Vitit të Ri.
Nga ana tjetër, historiografia e lashtë tregon se edhe romakët përdornin ngjyrën e kuqe gjatë festave të Vitit të Ri. Në vitin 31 para Krishtit, gjatë kohës së Oktavian Augustit, burrat dhe gratë romake mbanin diçka të kuqe për të simbolizuar fuqinë, shëndetin, pasurinë dhe energjinë. E kuqja, ngjyrë e pasionit dhe e fatit, ishte mënyra e tyre për të përshëndetur fillimin e një kapitulli të ri.
Cilat janë zgjedhjet më të mira për të brendshme të kuqe këtë vit?
Të brendshmet me dantellë dhe elementë transparentë janë më popullorë, duke i dhënë një ndjesi elegante dhe tërheqëse. Këto detaje jo vetëm që përmirësojnë pamjen, por gjithashtu shprehin një nuancë të feminitetit dhe sigurisë. Dantella përfaqëson bukurinë, pasionin dhe misterin, duke e bërë këtë zgjedhje perfekte për natën e vitit të ri./ZËRI