
SHBA- Këngëtarja Bleona Qereti, e cila ka kohë që ka vendosur të jetojë dhe të punojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e saj si aktore. Bleona ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në kastin e filmit “Chief of Station”, një projekt hollivudian nën drejtimin e njohur të regjisorit Jesse V Johnson. Premiera e filmit u zhvillua vetëm dy ditë më parë, më 3 maj.
Këngëtarja jo vetëm që ka marrë një rol në këtë film, por në trailerin e publikuar në profilin e saj në Instagram, ajo dëgjohet duke folur në gjuhën shqipe.
Chief of Station” sjell në ekran historinë e një ish-agjenti të FBI-së, jetën e të cilit e trondit vdekja tragjike dhe e papritur e bashkëshortes. Pas marrjes së informacionit të fshehtë se vdekja e gruas së tij mund të mos kishte qenë një aksident, ai kthehet në botën e fshehtë të Evropës Lindore, duke u bashkuar me një ish-kundërshtar për të zbuluar një komplot që sfidon gjithçka që ai mendonte se dinte për gruan e tij./ZËRI