TIRANË-Mbi 10 mijë automjete elektrike që qarkullojnë në Shqipëri pritet të përfshihen në skemën e re të taksimit. Për herë të parë gjithashtu do të aplikohet një tarifë e re, edhe për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar. Ndryshimet janë pjesë e paketës së re fiskale, e cila parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe kalimin e saj te taksat vjetore të automjeteve.
Konkretisht në ndryshimet për ligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar parashikohet vendosja e një takse vjetore fikse për automjetet elektrike, në varësi të kategorisë së tyre.
Projektligji propozon që për autoveturat elektrike, autobusët dhe kategori të tjera të mjeteve niveli i taksës të jetë 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motomjetet elektrike detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Aktualisht mbi mjetet elektrike nuk zbatohet taksa vjetore.
Nga këto ndryshime do të preken mbi 10 mijë automjete elektrike në vend, sipas burimeve nga Ministria e Financave.
Një tjetër risi është vendosja e një takse qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në Shqipëri. Ndërhyrjet u paralajmëruan nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës fiskale.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të masave.
Burime nga Ministria e Financave konfirmuan se tarifa e re për makinat e huaja që hyjnë në vend, parashikohet të përcaktohet në bazë të ditëve të qëndrimit në territorin shqiptar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë 9-mujorit të parë të vitit në vend kanë hyrë rreth 2,6 milionë mjete me targa të huaja.
Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe zhvendosja e tyre te mjetet, pritet të ndryshojë taksat për një sërë kategorish, përfshirë automjeteve të përdorura dhe mjetet luksoze.
Për mjetet e përdoruara pas ndryshimeve detyrimi për taksat vjetore pritet të rriten deri në dyfishim nga sa paguhet aktualisht. Sipas formulës së re të taksimit, një automjet me naftë, me vit prodhimi 2013 dhe cilindratë 2,000 ç, do të paguajë 18 mijë lekë në vit, nga 9 mijë lekë që paguan aktualisht.
Ndryshime parashikohen edhe për automjetet luksoze. Taksa vjetore për këtë kategori propozohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë, ose 19 mijë lekë më shumë në vit apo 90% më shumë sesa paguhet aktualisht. Kjo masë pritet të sjellë rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.
Me paketën e re fiskale, zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve pritet të rrisë të ardhurat për taksat nga mjetet me 7.2 mld lekë. Aktualisht të ardhurat për këtë kategori arrijnë në 26,6 miliardë lekë. Pas ndryshimeve niveli i tyre parashikohet të arrijë në 33,8 miliardë lekë.
Efekti neto i kësaj mase, sipas relacionit të projektligjit llogaritet me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave. Ndërsa çmimi i karburanteve llogaritet të bjerë 32,3 lekë për litër./Monitor