TIRANË- Një rast shqetësues ka vënë në alarm disa shtete europiane, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ushqimeve për foshnje. Autoritetet në Austri kanë identifikuar praninë e një substance toksike, të dyshuar si helm për minj, në një kavanoz ushqimi të markës HiPP, me peshë 190 gramë, që përmban pure karrote dhe patate, duke nxitur menjëherë masa hetimore dhe tërheqje të produktit nga tregu. Rasti u raportua nga një klient, foshnja e të cilit nuk e kishte konsumuar produktin, ndërsa për arsye sigurie produkti u tërhoq nga më shumë se 1 mijë supermarkete. Vetë kompania prodhuese HiPP ka konfirmuar praninë e helmit dhe nuk përjashton mundësinë e një akti të qëllimshëm kriminal. Kompania thotë se incidenti mund të jetë rezultat i ndërhyrjes së jashtme dhe, si masë paraprake, të gjitha produktet janë tërhequr nga raftet. I njëjti produkt tregtohet dhe në Shqipëri, supermarkete e farmaci, por deri më tani nuk ka pasur asnjë raportim apo rast të referuar.
/ZËRI