TIRANË-Dubai, streha e sigurt për ata që kërkojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, por edhe për ata që duhej të ishin tashmë pas hekurave, sot duket se është kthyer në një 'portë dorëzimi'. Miti i Dubait ra në 14 gusht të vitit 2024 me rikthimn në atdhe të Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt. Të dy akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vdekur shoferi i këtij të fundit, Andi Maloku. Në 2 maj të vitit 2025, në aeroportin e Rinasit zbret një tjetër i shumëkërkuar i drejtësisë, Florenc Çapja. Ai akuzohet si porositës për vrasjen e atë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Një muaj më pas më 11 qershor 2025, mbërrin nga Dubai në Shqipëri, vëllai i Nuredin Dumanit, Dashnor Dumani dhe Armis Stafa. Më 20 qershor 2025, sillen nga Dubai në Shqipëri tre bashkëpunëtorë të Talo Çelës, Ado Xhika, Ervis Daka dhe Maksim Koçi. Në korrik të vitit 2025, Denis Bajroviç (Bajri) do të bëhej personi i radhës që u ekstradua nga Dubai! Bajri ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit. Në 8 tetor të vitit 2025 edhe reperi dhe TikToker-i i njohur Kleviol Ahmeti i njohur me pseudonimin “Cllevio” u ekstradua nga Dubai në Shqipëri. Një javë më vonë më 14 tetor 2025, Dritan alias Amar Shkëmbi, që dikur ishte pjesë e rrethit shoqëror të ngushtë me Plarent Dervishajn u ekstradua nga Dubai. Edhe rasti më i nxehtë precedent Bami përfundoi me ekstradim! Durim Bami, i njohur ndryshe si i 'forti' i Niklës u rikthye në atdhe mbëmjen e djeshme 26 shkurt.
/ZËRI