TIRANË- Ditën e hënë, kryeministri Edi Rama postoi një video në mbështetje të protestës që u mbajt në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Protesta kundër burgosjes së udhëheqësve të UÇK-së ka shkaktuar një konflikt të ri mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Edi Rama. Vetëvendosje e akuzon Ramën për lobim të Gjykatës Speciale, ndërsa Rama shprehet se e mbështeti këtë gjykatë për hetimin e trafikimit të organeve dhe jo për pengmarrje.
Në Kuvend, kërkesa e Partisë Demokratike për diskutimin e rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë u refuzua, duke shkaktuar debate mes opozitës dhe mazhorancës. Të premten u mbajt protesta për mbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë figura të njohura politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Në krye të kësaj proteste ishte Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
View this post on Instagram
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të martën ka pasur një debat të ashpër mes Taulant Ballës dhe Gazment Bardhit për shkeljen e rregullores nga Niko Peleshi. Gjithashtu, PD zyrtarizoi kërkesën për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës lidhur me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Menjëherë pas kësaj kërkese ka reaguar Presidenti i Shqipërisë. Begaj theksoi se kërkesa e PD-së ishte një nismë politike dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar mandatin pa u ndikuar nga sulmet politike. Pas vendimit për pezullimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës nga Gjykata Kushtetuese, Begaj i ka dërguar këtij institucioni një kërkesë zyrtare ku i kërkon të anullojë bllokimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës./ZËRI