TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) hapi sot garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, pas përfundimit të mandatit të prokurorit Altin Dumanit. Mandati 3-vjeçar i Dumanit në krye të SPAK përfundon në 16 dhjetor 2025, pasi këtë detyrë e mori më 16 dhjetor 2022. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, u miratua projektvendimi që i hap rrugën zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme. Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat 3 javë për aplikimin, pra deri më datë 8 tetor. Në mbledhje u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK. Kriteret për vlerësimin e kandidaturave përfshijnë përvojën në ndjekjen e çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, eksperienca, përballja me çështje që kanë pasur vëmendje të lartë publike dhe aftësia për të komunikuar me median. Një element i rëndësishëm në vlerësim është edhe imazhi publik dhe integriteti i ndërtuar gjatë karrierës si prokuror.
/ZËRI