Video

Kryengritja e Gen Z në Nepal, si arriti zemërimi kulmin

Demonstratat nisën pas vendimit të qeverisë për të ndaluar 26 platforma rrjetesh sociale, përfshirë Whatsapp, Instagram dhe Facebook.

Loreta Koleci
Kryengritja e Gen Z në Nepal, si arriti zemërimi kulmin
foto ilustruese

NEPAL- Sytë e të gjithë botës janë në Nepal. Gen Z ka udhëhequr protesta masive, ku mijëra njerëz kanë dalë në rrugë duke ndërmarrë dhe aksione radikale, kundër qeverisë, duke i vënë flakën Kuvendit, rezidencave të politikanëve, hoteleve luksoze që ata i quajnë produkt i korrupsionit dhe ndërtesave të tjera qeveritare në të gjithë vendin.

Cila ishte pika që derdhi gotën?

Demonstratat nisën pas vendimit të qeverisë për të ndaluar 26 platforma rrjetesh sociale, përfshirë Whatsapp, Instagram dhe Facebook. Rrjetet sociale janë në përdorim masivë për qytetarët e këtij vendi, duke shënuar edhe normat më të larta për frymë në Azinë Jugore. Qeveria i ndaloi me arsyetimin se nuk arritën të përmbushnin afatin për t’u regjistruar pranë ministrisë së komunikimit dhe teknologjisë së informacionit të Nepalit.

Kush po proteston?

Të nxitur nga rrjetet sociale dhe të udhëhequr nga të rinjtë e vendit, këto protesta janë ndryshe nga çdo herë apo vend tjetër. Protestuesit identifikohen si brezi Gen Z, dhe ky term është shndërruar në një simbol bashkues në gjithë lëvizjen. Nga gati 30 milionë njerëz në Nepal, rreth 40% i përkasin këtij brezi.
Kjo kryengritje vjen si pasojë e korrupsionit, keqqeverisjes, dhunës shtetërore, papunësisë, dhe censurës për t’u aksesuar në botën digjitale. Brezi i këtyre protestueseve që janë rritur mes platformave të mediave sociale po përjeton vitet më të vështira të Nepalit nga ndryshimet e shpeshta qeveritare, sepse në 15 vitet e fundit ka pasur 14 qeveri të ndryshme.

Por çfarë ka të re në këtë zemërim mbarëpopullor?

Gjenerata Z e përdori interntin si mënyrë për të rritur zemërimin politik për qeveritarët dhe zyrtarët e korruptuar.
Përmes hashtagut #Nepobaby dhe #nepokids, dy terma që kanë fituar popullaritet në mbarë botën gjatë këtyre ditëve, tregojnë jetët luksoze të politikanëve dhe familjeve të tyre. Protestuesit thonë se këta individë shijojnë suksesin dhe luksin pa meritë, duke jetuar me paratë publike, ndërkohë që nepalezët e zakonshëm përballen me vështirësi.

Videot virale në TikTok dhe Instagram kanë vënë në kontrast jetën luksoze të familjeve politike, me rroba firmato, udhëtime jashtë vendit dhe makina luksoze, me realitetet e ashpra që përballen të rinjtë, përfshirë papunësinë dhe migrimin e detyruar. Parullat janë shndërruar në një simbol të pakënaqësisë më të thellë ndaj pabarazisë, teksa protestuesit krahasojnë jetën e elitës me atë të qytetarëve të zakonshëm.

Kërkesat e tyre

Dy kërkesat e Gen Z janë të qarta: qeveria të heqë ndalimin e rrjeteve sociale, gjë që tashmë ka ndodhur dhe dhënia fund e korrupsionit. Trazirat ende vazhdojnë ndërsa kryeministri i vendit ka dhënë dorëheqjen. Disa liderë dhe ministra janë arratisur nga Nepali me helikopterë dhe ushtri. Ora policore e vendosur pa afat nuk është respektuar nga protestuesit të cilët bëjnë thirrje për llogaridhënien dhe reformism të qeverisjes.

Institucionet kryesore të Nepalit, siç janë gjykatat, burokracia dhe forcat e sigurisë, ende dominohen kryesisht nga elitat e vjetra. Çdo përpjekje për të zhvendosur pushtetin mund të përballet me rezistencë./ZËRI

Poll

MOS HUMB