TIRANË-Rreth 17 institucione inspektuese në vend do të shkrihen në një të vetme. Ministrave vendosi transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të të gjitha pronave shtetërore për realizimin e projektit “Korpusi i Inspektorateve”. Drejtori, agjenci apo inspektorate, nën juridiksionin e pushtetit qendror do të rigrupohen me qëllim efikasitetin e inspektimeve dhe uljen e numrit të tyre. Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet publike përfituese brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit. Korporata e Investimeve Shqiptare ngarkohet të kryejë procesin e konsolidimit të pronave, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës. Po ashtu, Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, për zhvillimin e pronave nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, me qëllim realizimin e projekteve të saj të investimit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit autorizohet që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare. Nga kjo VKM janë një sërë institucionesh që do të preken, përfshirë: Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP).
/ZËRI