TIRANË-Vrasja e Kozeta Hysenit, një ngjarje që edhe sot e kësaj dite vijon të mbetet pa autor, është rikthyer në vëmendjen e Prokurorisë së Tiranës. Pothuajse pas dy dekadash, më shumë se 27 vite pas krimit makabër që tronditi vendin, dosja është rihapur dhe pritet të kryhen një sërë veprimesh të reja hetimore. Ngjarja e ndodhur në 1999 përbën një prej krimeve më të mistershme të ndodhura në Tiranë. Bëhet fjalë për varsjen e vajzës së një prokurori në qytetin e Vlorës, ndërsa deri më sot, askush nuk ka dalë para gjykatës për t'u akuzuar.
Por, në 2026 është shënuar një kthesë e papritur, pasi prokuroria ka rihapur sërish dosjen dhe kërkon të gjej autorin. Mësohet se në kuadër të hetimeve, prokuroria u ka kërkuar disa policive lokale që të marrin në pyetje 28 persona, disa prej të cilëve të përmendur edhe më herët, si Indrit Dule, Dritan Gjika, si dhe 3 shoqet e dhomës së Kozetës: Mirela Metaj, Valbona Kasaj dhe Kozeta Bushi.
Më 19 shkurt 1999, Kozeta Hyseni, vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, u gjet e pajetë në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë, e masakruar pasi ishte goditur me gurë në kokë. Mbrëmjen e 18 shkurti 1999, rreth orës 23:40, një vajzë i kishte thënë Kozetës se dikush po e kërkonte atë poshtë godinës së konviktit, por pasi ka zbritur ajo nuk është kthyer më.
Krimi tronditi opinionin publik dhe për vite me radhë hetimet u shoqëruan me persona të dyshuar, u morën dëshmi, u hapën pista, por...pa çuar në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes. Agim Karafili, një prej personave të parë të shoqëruar, me të cilin thuhej se Kozeta kishte pasur një lidhje, kishte deklaruar se në momentin kur kishte ndodhur krimi ndodhej në banesën e tij. Disa vite më vonë, Karafili u vra në rrethana të tjera dhe nuk jeton më.
Një person i identifikuar në atë kohë vetëm si 'Dritan' ishte ndër ndër dyshuarit e parë të ngjarjes. Bëhet fjalë për Dritan Gjikën, i cili në dosje përmendet në një episod të mëparshëm, ku dyshohet se kishte dhunuar Kozetën dhe kishte tentuar ta përdhunonte. Personi tjetër që pritet t'i merret dëshmia është Indrit Dule, i cili rezulton se kishte qenë në Qytetin Studenti atë mbrëmje së bashku me dy persona të tjerë, dhe shprehur dëshirën që të dilnin së bashku me Kozetën dhe shoqet e saj, por vajzat kishin refuzuar. Ai kishte deklaruar se në momentet kur dyshohet se ka ndodhur krimi ndodhej në banesën e të fejuarës së tij.
Një alibi kjo, që nuk ishte verifikuar plotësisht, pasi e fejuara nuk ishte marrë në pyetje. Madje, dhe personat e tjerë kishin dhënë dëshmi kontradiktore. Dule njihet si problematiku i Durrësit, person me precedentë penalë, i konsideruar me rrezikshmëri të lartë. Emri i tij është përmendur edhe në kronika të tjera pas ngjarjes së '99-ës. Ai rezulton i përfshirë në një sërë ngjarjesh dhe i arrestuar për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Vajza që kishte njoftuar Kozetën se dikush po e kërkonte atë në godinë, ndoshta përbën një nga elementët më të rëndësishëm në dosje.
Vajza, Mirela K., sipas materialeve të dosjes, u largua nga Shqipëria 12 ditë pas ngjarjes dhe kur është kthyer pas disa vitesh, ajo kishte deklaruar se kishte dëgjuar se dikush po kërkonte Kozetën, por nuk e kishte parë personin që e kërkonte. Në ditët e para pas krimit, u pyetën dhjetëra persona dhe nga dëshmitë e mbledhura në atë kohë ishte hedhur edhe pista se Kozeta mund të ishte vrarë nga një person që e njihte. Edhe sipas autoriteteve asokohe, dyshohej se bëhet fjalë për një vrasës që nuk është profesionit për nga mënyra e ekzekutimit.
Pas 27 vitesh mister, dosja është rikthyer sërish në duart e hetuesve. Dëshmitë e vjetra, alibi të pakonfirmuara dhe pista të mbetura pezull pritet të marrin përgjigjen. 28 persona do të pyeten për ngjarjen, ndërsa veprimet e reja hetimore pritet të zbardhin pas dy dekadash: Kush e vrau Kozeta Hysenin?/ZËRI