TIRANË- Pesë vite më parë, përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, nga kryetari i asokohe Lulzim Basha, do të shënonte një nga momentet më të forta në historinë e opozitës.
Për më shumë se pesë vite, etiketa “non grata” e kryedemokratit Sali Berisha ka qenë një nga çështjet më të diskutuara politike në vend, duke nxitur debate e përplasje të forta jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe brenda vetë Partisë Demokratike.
Por këtë vjeshtë, dhe pikërisht sot, 4 shtator, historia merr një kthesë tjetër!
Historia e vizës amerikane të Sali Berishës nuk nisi në vitin 2021, pasi dy vite përpara shpalljes “non grata”, debati ishte hedhur publikisht në Kuvend nga Kryeministri Edi Rama. Gjatë një seance plenare, më 31 janar 2019, kryeministri Rama iu drejtua drejtpërdrejt Sali Berishës nga foltorja me një pyetje të koduar: “Sali, ti e kapërcen dot oqeanin me dash? Hajde përgjigju... Me dash?”
Kjo deklaratë shënon nisjen e aludimeve se Berishës mund t’i ishte bllokuar viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa dy vite më vonë mori tjetër dimension me shpalljen e Berishës “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit 2021. Gjithçka nisi në maj të vitit 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi vendimin për t’i ndaluar hyrjen në territorin amerikan Sali Berishës dhe familjes së tij. Berisha e cilësoi menjëherë vendimin si politik, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe diplomacinë e ndikuar nga George Soros. Kryeministri Edi Rama ishte ndër të parët që ka reaguar asokohe për masën ndaj Berishës, duke e cilësuar ngjarjen një "turp kombëtar".
Çështja e “non gratës” mbeti një nga temat kryesore të përplasjes politike edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, që sigurisht u shfrytëzua nga mazhoranca për ta minuar forcën e kampit blu. Kryeministri Edi Rama ishte ndër të parët që reagoi asokohe për masën ndaj Berishës, duke e cilësuar ngjarjen një “turp kombëtar”. Ndërkohë, gjatë fushatës pati edhe diskutime dhe aludime për mundësinë e heqjes së masës amerikane ndaj Berishës, aq sa duket sikur opozita po lobonte më shumë për “çlirimin” e Berishës nga masa e “non gratës” se sa për të fituar zgjedhjet.
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve, Partia Demokratike do të deklaronte një “fitore”, të përkthyer nga një postim në “X” nga një gazetar amerikan, i cili pretendonte se kishte komunikuar me një përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se kishte marrë një përgjigje se kryedemokrati Sali Berisha mund të udhëtonte drejt SHBA-ve.
Si duket, ajo që nisi dhe u aludua një vit më parë, sot u bë realitet. Gjithçka ndryshoi gjatë verës së vitit 2026, ku u shënua një kthesë e papritur. Më 11 qershor, Departamenti i Shtetit anuloi zyrtarisht masat kufizuese ndaj Berishës, duke i hequr statusin e papërshtatshmërisë për hyrje në SHBA. Më 31 gusht, kryetari i PD-së u raportua se është pajisur me vizë amerikane, ndërsa sot Berisha u nis për në SHBA.
Nga Rinasi, Berisha nuk fshehu entuziazmin, ku dha detaje për udhëtimin e tij. Një tur që do të zgjasë rreth një javë, me takime dhe pjesëmarrje në Konferenca nga Dallas, New York dhe Texas.
Kështu, pas vitesh përplasjesh, debatesh dhe akuzash mes palëve, udhëtimi i Berishës drejt SHBA-së shënon një kapitull të ri dhe mbyll zyrtarisht kalvarin 5-vjeçar të “non gratës” të liderit demokrat dhe marrëdhënieve të tij me Amerikën./ZËRI