Aktualitet

Mbi 40 ditë “Flamingo Revolution”, ku ndodhemi sot

Pika që derdhi gotën ishte pikërisht dita e 30 majit, pamjet që erdhën nga Zvërneci, duke shkakuar një revoltë të madhe. Në fillim të protestës çështja mjedisore, çështja e pronës dhe transparenca për projektin ishin në fokus të ligjërimit, ndërsa sot “Revolucioni Flamingo” është shndërruar në një tubim masiv kundër qeverisë, korrupsionit, kapjes së shtetit, keqqeverisjes dhe sistemit politik.

Loreta Koleci
Mbi 40 ditë “Flamingo Revolution”, ku ndodhemi sot
Foto ilustruese

TIRANË- Prej më shumë se një muaji në hapësirën tonë mediatike kemi raportuar hap pas hapi zhvillimet nga protesta në Zvërnec, kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë.

Pamjet e dhunës nga roje private të kompanisë ndaj një protestuesi dhe një rrethim telash me gjemba të ngritur në kantier, ndezën “Revolucionin Flamingo”, i cili ka përfshirë qindra mijëra qytetarë, të cilët vazhdojnë valën e protestave para godinës qeveritare. Po ashtu, protestat u organizuan edhe përtej Tiranës, në disa qytete në vend, por edhe jashtë vendit, ku diaspora shqiptare iu bashkua thirrjes për revoltë në disa vende të Europës dhe të Amerikës.

Pse po flitet për një metamorfozë të protestës?

Pika që derdhi gotën ishte pikërisht dita e 30 majit, pamjet që erdhën nga Zvërneci, duke shkakuar një revoltë të madhe. Në fillim të protestës çështja mjedisore, çështja e pronës dhe transparenca për projektin ishin në fokus të ligjërimit, ndërsa sot “Revolucioni Flamingo” është shndërruar në një tubim masiv kundër qeverisë, korrupsionit, kapjes së shtetit, keqqeverisjes dhe sistemit politik.

Qytetarët sot shprehin në rrugët e kryeqytetit pakënaqësitë e tyre të mbledhura ndër vite, me 5 kërkesa kryesore, të cilat përfshijnë: dorëheqjen e panegociushme të kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese. Paralelisht kërkohet anulimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura dhe ai i Trashëgimisë Kulturore, shfuqizimi i Paketës së Maleve, dhe ligji për Investimet Strategjike. Protestuesit kërkojnë një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Ajo çfarë ka ndodhur prej më shumë se një muaji, është edhe lëvizja që ka ardhur nga insitucionet e drejtësisë. SPAK ka nisur një hetim për përvetësimin e pronave në Zvërnec, ku në qendër të hetimeve është dhe Artur Shehu, i njohur si poseduesi kryesor i tokave në atë zonë.

Ndërsa reagimet e kryeministrit Edi Rama kanë ndryshuar, që nga nisja e protestave e deri më tani.

Reagimi i parë erdhi pas ngjarjes së tensionuar në Zvërnec. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama foli për projektin, i cili sipas tij do të sillte të ardhura në ekonominë e vendit dhe se investimet e huaja do ta rendisnin Shqipërinë në ligën e kampionëve të turizmit global. Ai foli edhe për dorëheqjen, duke zbuluar se për herë të parë kishte menduar edhe të largohej nga detyra.

“Po si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Dhe si mund të jenë gazetat greke aleatët tuaj? Ka diçka këtu që nuk shkon, apo i vetmi tradhtar që gjetët është kryeministri juaj? Për herë të parë mendova edhe t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe për t’u ikur në katund, për t’ju lënë në duart që do të zgjidhnit vetë për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt. Por kam vendosur të rri, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju”, u shpreh Rama.

Nga Rama nuk mungoi as ftesa për dialog me qytetarët, të cilët i ftoi të zgjidhnin një përfaqësi dhe të uleshin në tryezë, por kjo u refuzua menjëherë nga protestuesit, të cilët u shprehën se pa dorëheqje s’ka negociata.

Ndërsa më vonë qasja ndryshoi, pasi Edi Rama u shpreh se nuk e jep dorëheqjen, sepse sipas tij Partia Sociliste ka ardhur në pushtet me 83 mandate dhe është besuar nga shumica e qytetarëve në vend. Në një intervistë të fundit për gazetën italiane "Corriere della Sera", u shpreh se ka një mandat të qartë dhe se deri në zgjedhjet e ardhshme nuk do japë dorëheqjen.

Në revoltën qytetare nuk kanë munguar as përplasjet verbale.

Me 2 korrik teksa mbahej seanaca parlamentare, jashtë dyerve të Kuvendit qytetarët vijuan protestën, e cila u shoqërua me akte dhune. Protetsuesit u përplasën me efektivët, ku Policia arrestoi 19 persona. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të arrestuarit kundërshtuan dhe goditën me sende të forta: punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie, si edhe sulmuan deputetë të Kuvendit. Nga përplasjet mbetën të dëmtuar 15 punonjës policie. Vlen të theksohet se që prej 2 korrikut numri i protestuesve ka rënë.

Vëmendja ndërkombëtare ndaj “Revolicionit Flamigo”.

Mediat prestigjoze ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë që prej nisjes së revoltës, situatës aktuale në vend, shqetësimit për zonat e mbrojtura, përfshirjen e vajzës së Donald Trump, Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner si dhe kërkesave të qytetarëve për dorëhqjen e kryeministrit të vendit.

Reagim ka pasur edhe nga eurodeputetë të cilët kanë folur kundër projektit në Parlamentin Europian, ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur të vizitojnë Tiranën, për të ndjekur nga afër protestën.

Nisma për “bad review”

Qytetarët nisën një fushatë kundër disa bizneseve në vend, të cilat sipas tyre mbështesin qeverinë, duke bërë komente negative online në profilet e bizneseve, me synim ndikimin në reputacionin e tyre. Kjo nisëm vendosi përballë qeverinë dhe Policinë e Shtetit me protestuesit.

Me 9 korrik në një konferencë për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita njoftoi se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që janë identifikuar, duke e quajtur “krim kibernetik” dhe prishje të reputacionit online të bizneseve shqiptare.

Ndërsa Rama deklaroi se bizneset janë përballur me atë që ai e quajti “terror digjital” në kulmin e sezonit veror. Se si do të shkojë kjo përballje mbetet për t’u parë, ndërsa qytetarët shprehen se nuk do të ndalojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB