Video

Miratohet Buxheti 2026, kush përfiton?

Shpenzimet përgjithshme rriten duke reflektuar rritje të pagave, pensioneve, investimeve dhe programeve sociale.

Loreta Koleci
Miratohet Buxheti 2026, kush përfiton?
foto ilustruese

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë miratoi buxhetin e vitit 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër. Buxheti është programuar në vlerën 886.8 miliardë lekë, dhe është rreth 55 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2025.

Shpenzimet përgjithshme rriten duke reflektuar rritje të pagave, pensioneve, investimeve dhe programeve sociale.

Si është ndarë buxheti?

Fokusi për vitin e ardhshëm është tek pensionet. Rreth 9.66 miliardë lekë do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 13.04 miliardë lekë do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve. Fondi për rindërtimin do të jetë rreth 4.83 miliardë lekë.

Qeveria pret që për vitin 2026, pagat e administratës do të kushtojnë rreth 10 miliardë lekë më shumë sesa më parë, për shkak të rritjes së pagës minimale e cila do të jetë 50 mijë lekë të reja në muaj dhe indeksimit të pagave në nivelin 2.5%.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë ose 5% e PBB.

Shpenzimet e fondeve speciale

Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë.

Paketa fiskale 2026

Në vitin 2026 qeveria ka parashikuar paqen fiskale, e cila do të nisë në janar, ku 213 mijë tatimpagues debitorë do të mund të përfitojnë ulje të gjobave e kamatave, kurse çdo borxh i krijuar para 2016-ës falet plotësisht. Efekti financiar nga zbatimi i kësaj nisme për vitin 2026 vlerësohet në rreth 3.7 miliardë lekë.

o ashtu rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të mbyllet më 30 shtator 2026. Sipas buxhetit tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën.

Brenda paketës fiskale për vitin 2026 do të jetë edhe rishikimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me fokus korrigjimi i skemës së rimbursimit në bujqësi. Ministria e Financave ka parashikuar që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, nga 0% që është aktualisht kjo normë tatimore.

Institucionet e drejtësisë

Buxheti i shtetit parashikon një rritje për institucionet e drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë një buxhet prej rreth 6.56 miliardë lekë për vitin 2026, duke u bërë institucioni me rritjen më të lartë në drejtësi.

Ndërsa SPAK merr një buxhet më të madh për vitin 2026. Prokuroria e Posaçme do të ketë në dispozicion rreth 2.03 miliardë lekë, nga afërsisht 1.81 miliardë lekë që kishte vitin e kaluar.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB