TIRANË- Leku nuk do të përdoret më! Pas futjes së vendit tonë në Bashkimin Europian, monedha zyrtare do të jetë euro. Kështu parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, të hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave më 15 korrik.
Projektligji parashikon në nenin 91 se euro do të jetë njësi monetare e vendit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian dhe të Bankës Qendrore Europiane. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë edhe dizajnin e monedhave metalike euro, të cilat do të emetohen nga Shqipëria sipas standardeve europiane.
Në nenin 94 parashikohet se si do të mbahet rezerva valutore me futjen e euros si monedhë zyrtare e vendit.
“Pas prezantimit të EURO-s si monedhë e Republikës së Shqipërisë, Banka e Shqipërisë do të mbajë dhe administrojë rezervat valutore në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e Bashkimit Evropian.”- thuhet në këtë nen.
Çfarë “fshihet” pas projektligjit të ri të Bankës së Shqipërisë?
Përveç futjes së euros, drafti parashikon dhe dispozita që kufizojnë kontrollin apo arrestimin e guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve pa autorizim nga Gjykata Kushtetuese.
Në nenin 72, në pikat 1 dhe 2, thuhet se ndalohet çdo formë arrestimi apo kontrolli personal apo të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zëvendësguvernatorët, pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese. Gjithashtu parashikohet se nëse Gjykata Kushtetuese nuk shprehet brenda dy javësh, kërkesa e Prokurorisë konsiderohet e refuzuar.
Neni 68, që flet për sekretin profesional dhe konfidencialitetin, përmban një pikë që ka tërhequr vëmendjen. Në pikën 6 thuhet se askush, përfshirë edhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nuk mund të detyrojë Bankën e Shqipërisë të publikojë informacion që e çuan konfidencial sipas këtij neni.
Në relacionin e drafit të hedhur për kosnultim publik, thuhet se ky projektligj lidhet drejtpërdrejt me Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”, i cili është pjesë e Grupkapitullit 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Mbetet të shohim nëse ky projektligj do të kalojë në Kuvend pa kritika apo me debate. /ZËRI