Video

Qiraja po rritet, shpresa për të blerë shtëpi po zvogëlohet

Kjo situatë, së bashku me migrimin urban dhe shtimin e kërkesës, ka bërë që qytetarët të shqetësohen për strehimin afatgjatë dhe të përjetojnë një proces lodhës në kërkimin e shtëpisë me qira

Loreta Koleci
Qiraja po rritet, shpresa për të blerë shtëpi po
foto ilustruese

TIRANË- Në vitet e fundit, tregu i qirave në Tiranë ka pësuar një transformim të thellë. Rritja e turizmit dhe zgjerimi i banesave për qira ditore, Airbnb-t kanë zvogëluar stokun e apartamenteve që pronarët janë gati të japin për qira afatgjata. Si rrjedhojë, çmimet e qirave po rriten me 10-20 % në vit, sidomos në disa zona.

Kjo situatë, së bashku me migrimin urban dhe shtimin e kërkesës, ka bërë që qytetarët të shqetësohen për strehimin afatgjatë dhe të përjetojnë një proces lodhës në kërkimin e shtëpisë me qira. Ema është një vajzë e re që jeton me qira prej shtatë vitesh në Tiranë dhe aktualisht bashkëjeton me të fejuarin e saj. Ajo ndau për ZËRIN përvojën e saj si qiramarrëse në kryeqytet, duke na treguar që nga hapësira në banesa dhe deri te rritja e qirasë dy herë brenda një viti.

Ema ti ke një vit që jeton bashkë me bashkëjetuesin tënd në një shtëpi me qira këtu në Tiranë. Do doja të dija se a ka qenë një proces i vështirë gjetja e një shtëpie dhe si kanë qenë çmimet në atë kohë kur ju po shikonit për shtëpi me qira?

“Ka qenë një proces goxha i gjatë dhe i lodhshëm do thoja. Kam kërkuar përreth tre muaj përpara se të gjeja shtëpinë në të cilën aktualisht banoj. Ka qenë një periudhë që çmimet u rritën, nuk gjeje asnjë shtëpi 1+1 bëhet fjalë nën 350, ishin mbi 350- 400-500 mijë lekë. Në zonat që ishin afër qendrës ishin shumë më shtrenjtë dhe kam këkruar gjatë nëpër gazeta dhe njoftime online. Ishte dhe kjo pak e lodhshme, pasi shumica ishin me agjentë imobilar dhe çmimet rriteshin nga kjo gjë. Në momentin që e kam gjetur kam telefonuar direkt, ishte vetë pronari i shtëpisë dhe më ka thënë që në rast se jeni agjenci mos ejani, në rast se jeni person individ mund të vini ta shikoni dhe të bini dakord. Shkuam brenda ditës që të mos humbisnim rastin për shtëpinë me qira dhe kemi vendosur brenda ditës që ta merrnim shtëpinë me qira.”- shprehet Ema.

Ti ke shtatë vite që jeton në Tiranë, më para ke bashkëjetuar me shoqet e tua dhe si ka qenë procesi i gjetjes së shtëpisë para gjashtë vitesh, si e krahason, a janë rritur çmimet?

“Kam ardhur në Tiranë për studime dhe që atëherë nuk është se lëvizëm më. Normalisht që do të jetonim me qira si të gjithë studentët. Ka qenë ndoshta një proces se nuk kemi qenë dhe aq të përfshirë duke qenë se nuk e njihnim Tiranën apo nuk e njihnim se si ishte situata. Por mund të them që sigurisht ka qenë shumë herë më lirë, duke qenë se unë jetoja dhe më të tjerë, qiraja ishte më pak, për person ishte më pak sepse e ndaja me të tjerë. Çmimet ishin goxha më lirë edhe në zonat afër qendrës të preferuara nga studentët për shkak të universiteteve që janë afër. Vitet e fundit domethënë, çdo vit, çdo sezon më saktë, çdo shtator çmimet rriten. Nuk është se ka ndonjë kontrollues të çmimit tavan dhe një rregullator të themi. Është goxha e vështirë edhe tani e mendoj që nëse do të duhet të ndërroja shtëpi është një stres dhe kërkon një kohë ekstra që ti ta mendosh dhe më pas ti ta bësh realisht.”,- u shpreh ajo.

Në këto shtatë vite, sa herë ke ndërruar shtëpi dhe cili ka qenë shkaku kryesor?

“Për fat mund të themi që nuk është se kam ndërruar shpesh, vetëm tre herë. Fillimisht kam ardhur dhe kam jetuar në lagjen e 5 Majit, nuk ka qenë qira e shtrenjtë por e kemi ndërruar për shkak të pandemisë, periudha e tërmetit dhe nuk u rikthyem më tek ajo shtëpi. Shtëpia e dytë ka qenë ajo ku kam jetuar me shoqet e mia, aty kemi ndenjur për një kohë të gjatë, nuk ka qenë qira me kontratë ka qenë normalisht siç janë në Tiranë, fatkeqësisht. Nuk e kemi ndërruar atë shtëpi për gati 5-6 vite edhe pse vit pas viti ose edhe dy herë në vit është rritur çmimi i qirasë, por ishte e vështirë që të geje një shtëpi tjetër dhe për këtë kemi pranuar atë rritjen e qirasë dhe kemi qëndruar. Dhe shtëpia e tretë domethënë duke qenë se tani bashkëjetoj, kam ndërruar shtëpinë përpara një viti. Edhe tre në total.”-shpjegoi Ema.

Cili ka qenë shkaku pse i rriste çmimet dy herë në vit ajo shtëpia që ju keni qëndruar pak më gjatë?

“Tani justifikimi kryesor ka qenë se rriteshin kostos e jetëses dhe asaj i duheshin më shumë para për të përballuar kosot e veta të jetësës. Probleme normale natyrale të familjeve shqiptare, jo do të çonin fëmijët në shkollë, jo kosto e jetës shumë e lartë, gjithashtu ishte familje që kishte dhe vjehrrinë dhe duhet të kujdeseshin dhe për ata, të tilla domethënë.”- thotë ajo.

A është e përballueshme qirja aktuale që keni duke e krahasuar me pagën e të dyve ju dhe si mendoni për të ardhmen, a do ketë ndërrim shtëpie a keni siguri për një strehë në Tiranë?

“Është shumë e vështirë siç e përmenda fakti që vetëm ta mendosh që do ndërrosh shtëpi është goxha e lodhshme sepse nuk gjen, me ato çmime që ne mund t’i përballojmë. Okej ndoshta 350 mije lekë nuk janë shumë, por për shembull në rastin kontret shtëpia që kam është një sipërfaqe goxha e vogël që nuk mendoj se nuk e justifikon çmimin që ka, plus që është dhe jashtë zonës së afërt, jashtë zonës së preferuar. Për pjesë e të ardhmes, nuk e mendoj dot që mund të arrij të blej një shtëpi këtu në Tiranë me rrogën që kam dhe me rrogën që ka bashkëjetuesi më duket e pamundur domethënë. Dhe nuk e di se si shiten shtëpi mbi 200 mijë euro me rrogat që janë aktualisht në Shqipëri.”- shprehet Ema.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB