LEZHË- Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në qendër të qytetit të Lezhës për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikolli, e cila humbi jetën pasi konsumoi fostoksinë, ndërsa dyshohet se kishte qenë viktimë e dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Në shenjë dhimbjeje dhe solidariteti me familjen, të pranishmit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së 25-vjeçares.
Ndërkohë, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, i cili dyshohet se mund të ketë ndikuar në aktin ekstrem të 25-vjeçares, vijon të jetë në kërkim nga Policia. Sipas të dhënave paraprake, ai ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë, ku mes tyre mund të ketë ndodhur një përplasje. Në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, e reja dyshohet se konsumoi fostoksinë.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune në kokë, në fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë është gjetur edhe një letër që ajo kishte lënë për prindërit. Xhuana Nikolli dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa e tyre zgjati vetëm rreth tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte së bashku me motrat e saj./ZËRI