TIRANË- Pas akuzave dhe kritikave për prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama sulmoi një tjetër zyrtar të drejtësisë. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Hazbi Balliu. Shkak u bë një vendim për mostjetërsimin e një godine të konfiskuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. I kontaktuar nga BIRN, gjyqtari Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj. Ai bëri dhe një koment lidhur me "akuzat" që i pari i qeverisë lëshoi ndaj tij.
“Ne, si gjyqtarë të Gjykatës Administrative, trajtojmë çdo ditë çështje me palë qeverinë dhe nuk më shqetëson kritika e kryeministrit për vendimin. Ajo që më ka prekur është që më ka thënë ‘i pacipë’. Nuk e di ku kryeministri ka parë që unë jam sjellë si i pacipë? Nëse ka prova që unë jam i pacipë, duhet ta bëjë këtë të besueshme për publikun dhe të tregojë ku apo si,”-tha Balliu.
Teksa Balliu ka një pyetje për Ramën, nga ana e kryesocialistit ende nuk ka asnjë përgjigje.
/ZËRI