TIRANË- Në ditën e 8-të të protestës, kryeministri Edi Rama u ka bërë sërish protestuesve thirrje për dialog. Me një akt simbolik, kryeministri i vendit doli vetë mëngjesin e sotëm dhe vendosi karrige para godinës së Kryeministrisë, me mbishkrimin “dialog”, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për gatishmëri për komunikim dhe dëgjim me këdo. Pranë karrigeve të vendosura në formë rrethore, si një tryezë e hapur diskutimi, Rama theksoi se është i hapur për bisedime pa kushte, në çdo vend dhe në çdo kohë, duke përfshirë edhe ambientet para Kryeministrisë. Megjithatë, ai e bëri të qartë se nga kjo ftesë përjashtohen personat që ushtrojnë dhunë dhe ata që nuk distancohen prej saj.
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë. Unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe ata që nuk distancohen nga dhuna”, u shpreh Rama.
Por përgjigjja e protestuesve nuk ka vonuar. Studentët dhe pedagogët, të cilët iu bashkuan sot protestës para Kryeministrisë, në një letër të vendosur mbi njërën prej karrigeve, shrkuajtë mesazhin “S'ka dialog, jep dorëheqjen”, duke kërkuar largimin nga detyra të kreut të qeverisë.
/ZËRI