
TIRANË- Kolegji Universitar Wisdom do të rikthehet me të njëjtët pronarë, por me një tjetër emër dhe formë. Në datën 14 prill 2025, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu ka miratuar në mënyrë të heshtur aplikimin e pronarëve të mëparshëm, Savino Cianci dhe Leonardo Catalano për hapjen e një kolegji të ri universitar, shkruan Pamfleti. Mbyllja e këtij institucioni pas skandalit të diplomave false duket se nuk e ka penguar ministren Manastirliu që tu japë “Ok” të njëjtëve persona për të qenë aktiv në fushën më kyçe të Shqipërisë, atë të arsimit.
Tashmë, dokumentat e aprovuara nga Manastirliu janë në duart e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), institucion që merret me vlerësimin dhe akreditimin e universiteteve. Ndërsa emri, sipas ligjit, do të zbulohet vetëm pasi të dorëzohen dokumentet në QKB.
Por, ZËRI ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit dhe Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje. Këshilli i Ministrave mbylli veprimtarinë e Kolegjit Universitar “Wisdom”, pas publikimit të skandalit të shitjes së diplomave false për të rinjtë italianë kundrejt çmimit 7000-10.000 euro për diplomë.
Sipas vendimit të marrë nga qeveria, 'Wisdom' kishte për detyrë, të kthente pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit. Po ashtu, me vendim të qeverisë, vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për kolegjin universitar Wisdom. Pjesë e këtij skandali rezultoi të ishte edhe zyrtarja Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL dhe gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë, i ka hapur rrugën akreditimit të këtij Kolegji Universitar në Shqipëri.
Madje në një episod të dosjes përshkruhet se si zyrtarja e ministrisë së Arsimit, Shqiponja Telhaj ka marrë një çantë Luis Vuitton me vlerë 1200 euro në këmbim të akreditimit të Universitetit Wisdom. Por, vetë Telhaj reagoi në rrjetet sociale ku shkroi se nuk ka pranuar asnjë dhuratë, madje nuk ka pirë asnjë kafe nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaja apo shqiptare.