TIRANË- Shqipëria përmbylli një verë të përvëluar nga zjarret dhe hyri në dimër nën ujë. Brenda pak muajsh, dy fatkeqësi të mëdha natyrore që lanë pas dëme të mëdha ekonomike, banorë të prekur dhe shumë pikëpyetje mbi gatishmërinë e shtetit për të përballuar këto situata. Ashtu sikur në verë, edhe këtë herë përgjegjësia institucionale mbeti e paqartë.
A lidhen përmbytjet me zjarret e verës? Çfarë i është shkaktuar mjedisit gjatë gjithë kësaj kohe?
Këto përgjigje do t’i japin ekspertët!
ZËRI pyeti ekspertin e mjedisit Abdulla Diku, i cili u shpreh se zjarret e verës janë shkaku pse u përmbyt vendi ynë në dimër. Po ashtu, ai shtoi se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, mospastrimi i kanaleve kulluese, si dhe ndërtimet masive në qytetet shqiptare pa planifikim të mirëfilltë urban kanë sjellë këtë situatë të vështirë.
“Shkaku i përmbytjeve të tanishme të dimrit është pikërisht djegia e shpateve malore në një pjesë të madhe të territorit të vendit. Për fatin e keq, kjo ndodh pak për shkaqe natyrore dhe shumë më shumë për shkaqe njerëzore. Është keqmenaxhimi i pjesëve të sipërme të bazeneve, dëmtimi, shkatërrimi i pyjeve, dëmtimi i shtretërve të lumenjve, argjinaturat dhe mbi të gjitha është mosmarrja e masave në kohë. Nga ana tjetër, në lidhje me zonat urbane, për fatin e keq ne kemi zhvilluar vetëm infrastrukturën gri, që do të thotë betonin. Ndërkohë që kemi minimizuar sipërfaqet e gjelbëruara, kemi minimizuar lulishtet, të cilat luajnë atë rolin e sfungjerit natyror në raste të tilla reshjesh. Pra, duke zhvilluar infrastrukturën gri, ne kemi mbingarkuar krejt sistemin kanalizues të qyteteve tona, për rrjedhojë edhe të hidrovorëve apo dhe gjithë sistemit kullues.”- tha eskperti i mjedisit.
Ndërsa urbanisti Artan Kacani foli rreth përmbytjes masive të Durrësit dhe një investimi të një kanali që lidhet me hidrovorin e ri që bashkia ka bërë në zonën e Porto Romanos, i cili fatkeqësisht nuk ka mundur ta kryejë funksionin dhe të sjellë përmbytje në gjithë Durrësin. Ai u shpreh se në këtë zonë ka mbivendosje të infrastrukturës kulluese.
ZËRI: Pse u përmbyt Durrësi dhe Porto Romano, çfarë investimi ka bërë bashkia?
Artan Kacani: “Investimet e bashkisë kanë qenë gjithmonë në kushtet e emergjencës, pra asnjëherë në kushtet e planifikimit të mirëfilltë dhe drejtorive përkatëse të planifikimit. Këtu ndodhemi në një rrugicë, në mesin e një grupi banesash dhe banorësh të Porto Romanos. Duke marrë shkas nga mbyllja e kanalit të rrjedhës së natyrshme të mbikodrës me dalje në det, bashkia ka marrë një iniciativë që deri diku mund ta quajmë profesionalisht të gabuar komplet, për vetë faktin sepse tenton që të marrë ujërat nga sipër kodrës, t’i fusë brenda kësaj rruge ku ne ndodhemi këtu.
Duke investuar në një mur betoni, i cili duhet të kanalizojë ujin dhe me një tub të dedikuar me një rrjedhë të kalibruar deri diku në mënyrë që të dedikojë ujë më pas te kanali i hidrovorit. Devijimi i këtij lloj shtegëtimi dhe mosdalja më pas në det të lirë ka bërë që uji i hidrovorit, kanalit kryesor, të fryhet akoma dhe më shumë, të tejkalojë kapacitetet e veta, duke çuar më pas edhe në mosrezultatin, bllokimin e vetë hidrovorit dhe mosfunksionimin e një serie pompash dhe kanalizimesh të tjera. Pra, kemi të bëjmë me mbivendosje të infrastrukturës kulluese. Kanali i rendit të dytë është mbivendosur mbi rendin e parë, ku ndërkohë kanali i rendit të dytë do duhej të kishte rrjedhën e dedikuar të tij.”
ZËRI: Çfarë masash duhet të ndërmarrë shteti në këtë rast?
Abdulla Diku: “Investimi në masa parandaluese është zgjidhja më e mirë, më e shëndetshme edhe për ekosistemin, edhe për buxhetin e shtetit. Ajo që duhet bërë në total është zbatimi i atyre dokumenteve strategjike të zhvillimit të vendit, siç është për shembull plani kombëtar i përshtatjes me ndryshimet klimatike, ku fondet për pyje dhe bujqësi të qëndrueshme janë gati 3 miliardë dollarë. Nëse nuk investojmë në këtë drejtim, përveç të tjerash si në infrastrukturë, në qytete etj., do të thotë që presim përmbytje dhe presim dëme më të mëdha në përmbytje. Nëse ne zgjedhim t’i zbatojmë këto dokumente, pra të merremi me shkaqet në themel duke menaxhuar bazenet nga sipër-poshtë, atëherë mund të arrijmë që t’i minimizojmë efektet e përmbytjeve, por edhe efektet e zjarreve në verë.”
Kacani thekson se profesionistët janë vënë në shërbim të interesave private. Sipas tij, shfrytëzimi i pakontrolluar i lumenjve ka sjellë shkatërrim mjedisor, ku lumi Mat është kthyer në një nga burimet kryesore të inerteve për ndërtimet masive në Tiranë, Durrës dhe përgjatë bregdetit shqiptar.
Ai kritikon faktin se ekspertë kanë firmosur për nxjerrjen e inerteve pa asnjë plan për rikthimin e natyrës dhe rehabilitimin e peizazhit, duke e cilësuar këtë proces si grabitje të burimeve natyrore dhe jo si zhvillim të planifikuar.
Artan Kacani: “Shumë thonë që kemi neglizhuar profesionistët. Unë do të thosha që profesionistët janë dhe janë afër interesave private. Ne kemi shkatërruar faktikisht, kemi shkatërruar basenet e lumenjve. Lumi Mat në Lezhë është ndër lumenjtë që ka dhënë më shumë materiale ndërtimi të gjithë këtyre ndërtuesve që po ndërtojnë kullat sot në Tiranë, në Durrës dhe në të gjithë bregdetin e Shqipërisë. Ka ekspertë që kanë firmosur për nxjerrjen e inerteve nga lumi Mat, nga lumi i Bunës dhe nga krahu tjetër nuk kanë bërë asnjë lloj dokumentimi për rikthimin mbrapsht të natyralizimit dhe kthimin e peizazhit siç ka qenë. Të gjitha masat e ndërmarra janë masa jo që i përgjigjen vërtet shfrytëzimit të territorit ashtu siç do duhej të ndodhte në mënyrë të planifikuar nxjerrja e inerteve, por mbi të gjitha vjedhja, gllabërimi i tyre dhe moskthimi i asgjëje mbrapsht.”
Ndërsa ZËRI iu drejtua me një kërkesë për informacion kreut të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, z. Ledio Hoxhaj, në lidhje se si ky institucion u është përgjigjur situatave të emergjencës lidhur me zjarret dhe përmbytjet në vend.
Në përgjigjen e kthyer, ky intitucion thotë se parandalimi mbetet prioriteti kryesor në përballimin e përmbytjeve dhe zjarreve, përpara reagimit emergjent. AKMC sqaron se masat parandaluese kanë përfshirë hartimin e dokumenteve strategjike kombëtare për vlerësimin e riskut, sisteme të paralajmërimit të hershëm përmes bashkëpunimit me mekanizma evropianë si EFAS dhe Copernicus, si dhe trajnime dhe ushtrime praktike në nivel kombëtar e lokal.
ZËRI pyeti kreun e këtij institucioni në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si institucioni që ka të drejtë të propozojë këtë masë në Këshillin e Ministrave. AKMC sqaron se kjo procedurë nuk është iniciuar në rastin e përmbytjeve pasi, ndonëse ka pasur dëme, situata është menaxhuar brenda kapaciteteve vendore dhe kombëtare.
“Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk është një vendimmarrje automatike, por një proces i rregulluar qartë nga kuadri ligjor në fuqi dhe bazohet në kritere objektive dhe vlerësime teknike.
Bazuar në vlerësimet e deritanishme nga strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse të sistemit të mbrojtjes civile, përmbytjet e fundit, ndonëse kanë shkaktuar dëme dhe vështirësi në zona të caktuara, po përballohen brenda kapaciteteve ekzistuese vendore dhe kombëtare. Në këto kushte, nuk janë përmbushur kriteret ligjore që parashikojnë pamundësinë e njësive të vetëqeverisjes vendore për të menaxhuar situatën, çka do të justifikonte propozimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Roli i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është monitorimi i vazhdueshëm i situatës, koordinimi ndërinstitucional dhe raportimi i bazuar në të dhëna të verifikuara. Për sa kohë situata mbetet e menaxhueshme dhe nuk ka përshkallëzim që tejkalon kapacitetet ekzistuese, procedura për një vendimmarrje të tillë nuk iniciohet. Megjithatë, në rast se situata ndryshon dhe plotësohen kriteret ligjore përkatëse, AKMC do të përgatisë dhe përcjellë menjëherë vlerësimet e nevojshme pranë Këshillit të Ministrave, i cili është autoriteti kompetent për marrjen e këtij vendimi.”, -përgjigjet AKMC./ ZËRI