
TIRANË- Ka hyrë në fuqi udhëzimi për eksportin e produkteve dhe nënprodukteve të bimës së kanabisit për qëllime industriale dhe përcakton të gjitha kriteret e dokumentacionin që duhet të plotësohet nga ana e subjekteve për realizimin e kësaj procedure. Sipas udhëzimit, subjekti i lejuar është përgjegjës për përgatitjen dhe plotësimin e dokumentacionit për eksport, si dhe përmbushjen e kushteve të cilësisë të nënprodukteve dhe produkteve të bimës së kanabisit që do të eksportohen.
Eksportuesi duhet të jetë i pajisur paraprakisht me lejen përkatëse për kryerjen e aktivitetit të eksportit; të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi lidhur me: shënjimin dhe gjurmimin, standardet për çdo fazë të procesit të kultivimit, paketimin dhe etiketimin. Agjencia, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për autorizim eksporti me shkrim, merr në shqyrtim kërkesën e subjektit të lejuar dhe verifikon dokumentacionin e përcaktuar në nenin 6, sipas parashikimeve të këtij udhëzimi.
Në rastet kur Agjencia gjatë shqyrtimit të kërkesës konstaton mangësi të dokumentacionit, kërkon me shkresë plotësimin e tyre. Subjekti brenda 5 ditëve pune plotëson mangësitë e konstatuara, i përcjell në Agjenci dhe i hedh në regjistër, në të kundërt kërkesa konsiderohet e refuzuar. Për këtë subjekti njoftohet me shkresë nga Agjencia, njëkohësisht njoftimi pasqyrohet në regjistër. Agjencia ka të drejtë të kryejë verifikimet përkatëse të dokumentacionit të përcjellë nga subjekti i lejuar kur ka indicie apo konstaton mospërputhje në dokumentet e përcjella. Kur dokumentacioni është i plotë dhe subjekti plotëson të gjitha kërkesat, Agjencia lëshon autorizimin për eksport.
Në rast se gjatë procedurave doganore që kryhen në pikën kufitare të daljes konstatohet se, subjekti eksporton ngarkesë në sasi të ndryshme nga ajo e deklaruar dhe e autorizuar, apo gjatë skanimit evidentohet prania e produkteve të tjera jo në përputhje me autorizimin, autoriteti doganor njofton menjëherë në numrin dhe adresën elektronike të kontaktit të vendosur në dispozicion nga palët paraprakisht, Policinë e Shtetit, Agjencinë dhe eksportuesin për faktet e konstatuara dhe vendimmarrjet. Autoriteti doganor vendos kryerjen e kontrollit fizik të ngarkesës në ambientet e pikës doganore, duke siguruar kushtet e ruajtjes së produktit që eksportohet./ZËRI