TIRANË- Më shumë se një javë nga vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla, zbulohet emri i personit, që policia e Elbasanit dhe familjarët e biznesmenit, e kërkojnë si të dyshuar për organizimin dhe financimin e vrasjes së tregtarit të naftës në Elbasan, në datën 30 nëntor 2025. Bëhet fjalë për një emër jo pak të njohur, Oklid El Ouejdi, i cili në qytetin e Elbasanit njihet me nofkën “Kiço” dhe “Oliver”. Ai njihet dhe si nipi i një personazhi që thirret “Timi” i Elbasanit. Por, cila është lidhja e tij me vrasjen e Mëhallës? Mësohet se “Kiço” është personi që 10 ditë para vrasjes së Mondi Mëhallës, është dhunuar nga ky i fundit. Dhunimi fizik ka ndodhur në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”. Shkak i konfliktit është bërë një marrëveshje tregtare me vlerë 700 mijë euro. Por në pamundësi për të përmbushur marrëveshjen me Mondi Mëhallën, Oklid El Ouejdi, ka ofruar si zgjidhje dhënien e 4 apartamenteve në Tiranë, të cilët kishin probleme me pronësinë. Situata është nxehur deri në atë pikë sa biznesmeni Mondi Mëhalla ka ushtruar dhunë fizike ndaj Oklid El Ouejdi. 10 ditë më vonë ai dyshohet të ketë organizuar dhe financuar vrasjen e Mondi Mëhallës alias Hyka. Aktualisht "Kiço" nuk është arritur të lokalizohet dhe shoqërohet në polici për të dhënë shpjegime. Ai ka dalë në Maqedoninë e Veriut, vend në të cilin ka shumë njohje shoqërore mes të cilëve dhe Sheval Muharremin që në Maqedoni njihet si “Bosi i Gërçecit” që jeton në Dubai.
/ZËRI