TIRANË- Protestat në Greqi po përshkallëzohen, dhe fermerët duken të vendosur të vazhdojnë bllokadat edhe gjatë festave të fundvitit, nëse kërkesat e tyre kryesore nuk plotësohen. Ndërsa protestat zgjerohen dhe bllokimet prekin akse të rëndësishme, presioni politik ndaj qeverisë rritet ndjeshëm. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka bërë thirrje dy herë gjatë fundjavës për dialog, por mungon ende një përfaqësim i organizuar i fermerëve, duke e bërë komunikimin të vështirë. Ndërkohë, policia përgatitet për lëvizje të reja të protestuesve që synojnë portet dhe aeroportet, ndërsa bllokadat në Rrugën Kombëtare Athinë–Selanik e kanë komplikuar rëndë qarkullimin. Mitsotakis theksoi se qeveria është e gatshme të mbështesë fermerët “e ndershëm” dhe se fondet që u takojnë do t’u jepen të plota, por nënvizoi se ekstremizmi në protestë nuk ndihmon në arritjen e zgjidhjeve. Ai deklaroi se dera e Ministrisë së Zhvillimit Rural mbetet e hapur për dialog të organizuar.
/ZËRI