TIRANË- Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë po vijojnë të rriten në segmentin premium, ku në disa prej projekteve më të mëdha ato arrijnë deri në 40 euro për metër katror në muaj. Sipas të dhënave nga tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme, nivelet më të larta të qirave regjistrohen në godinat e biznesit dhe kullat në zhvillim ose të sapopërfunduara në zonën e qendrës. Tendenca rritëse e çmimeve për qiratë e zyrave në kulla pritet të sjellë një rritje të çmimit mesatar të qirasë për vitin 2026 për zonën e qendrës. Gjatë vitit 2025, Tirana u rendit jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian. Në Tiranë çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Lisbona që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.
/ZËRI