
TIRANË- Zhvillimet politike në vend u përqendruan këtë javë të parë të tetorit në ethet e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Veliaj ka kundërshtuar vendimin e Ramës dhe të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit.
Ai ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, duke arsyetuar se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues, me pretendimin se është shkelur neni 115 i Kushtetutës (i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).
Pas lëvizjes së Veliajt, Rama i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj shpalljen e datës për zgjedhje të pjesshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit. Zgjedhjet e pjesshme vendore do të mbahen më 9 nëntor. Bëhet fjalë për zgjedhjet në bashkitë: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Në njoftimin zyrtar të Presidencës theksohet se vakancat në 5 bashkitë e tjera janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve, ndërsa në Bashkinë e Tiranës është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit nga Këshilli i Ministrave.
Pas vendimit të Presidentit, topi i ka kaluar KQZ-së, e cila do të angazhohet për përgatitjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka propozuar Komisionit Rregullator datën 1 nëntor për çeljen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme. Kryetari i Komisionit, Ilir Celibashi, është shprehur se KQZ ka si detyrim ligjor të zbatojë dekretin e presidentit dhe të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve për 6 bashkitë vendore.
Pasi Begaj dekretoi zgjedhjet, avokatët e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Në kërkesën e tij, Veliaj argumenton se dekreti i presidentit është antikushtetues, pasi vendimi për shkarkimin e tij konsiderohet i pezulluar brenda afatit 15- ditor në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa sa i përket kandidatit potencial për Tiranën nga opozita, ka pasur diskutime të reja.
Grupi negociator i përzgjedhur nga Berisha që janë: Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti kanë zhvilluar takime të veçanta me Endri Shabanin e “Nismës Thurje” dhe Adriatik Lapajn e “Shqipëria Bëhet”, po ashtu edhe me Agron Shehajn e Partisë “Mundësia”.
Pas përfundimit të takimeve, të gjitha palët kanë rënë dakord për 3 emra të mundshëm si kandidatë të opozitës në zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës. Tre emrat që kanë marrë dakordësinë e aleatëve janë: aktivistja Edlira Çepani, politologu Ermal Hasimja, si dhe Florian Haçkaj, përfaqësues i diasporës.
Ndërkohë, në selinë blu janë mbledhur strukturat e PD-së ditën e shtunë për të diskutuar për pjesëmarrjen në zgjedhje në 6 bashkitë e vendit. Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh kundër dekretit të Bajram Begajt, duke e quajtur atë si antikushtetues. Megjithatë, Berisha deklaroi se opozita nuk do të bojkotojë garën për Tiranën.
Lidhur me kandidaturat për Tiranën, Berisha është shprehur se brenda PD-së kanë shprehur dëshirën për të kandiduar emra si: Adriana Kalaja, Edi Paloka dhe Klevis Balliu.
Ende opozita nuk ka dalë me një emër për kandidatin e Tiranës. Ndërsa Lëvizja BASHKË nuk do t’i bashkohet opozitës, pasi ka shpallur kandidaturën e saj me Arlind Qorin, kryetarin e kësaj lëvizjeje, i cili do të kandidojë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës përballë Ogerta Manastirliut dhe kandidatit që opozita ende nuk e ka gjetur./ ZËRI